×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza / Analiza

    Nga kontratat për blerje të energjisë nga kompanitë e palicencuara deri tek blerja e rrymës kur nuk ka pasur nevojë – ZRRE zbardhë shkeljet në KEK

    Insajderi
    10 May 2023 - 11:41
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) e ka gjobitur me 3.2 milionë euro Korporatën Energjetike të Kosovës.

    Vendimi është marrë të premten, në seancën e IV-ët të Bordit për këtë vit.

    “Në këtë seancë, pas shqyrtimit përfundimtar të raporteve të monitorimit, Bordi ka vendosur gjobë ne vlerën prej 3.2 milion euro për Korporatën Energjetike të Kosovës”, thuhet në njoftimin e ZRRE, shkruan Gazeta Insajderi.

    Ashtu siç ka raportuar Gazeta Insajderi gjoba ndaj KEK-ut erdhi pasi kjo ndërmarrje bëri tregti të energjisë elektrike me kompani që nuk janë të licencuara.

    Në raportin e zbuluar nga ZRRE, zbulohet se KEK ka nënshkruar Kontratë Kornizë me kompaninë sllovene “Holding Slovenske Elektrarne d.o.o” e cila nuk ka pasur licencë që i njihet në Kosovë.

    “KEK ka nënshkruar Kontrata Kornizë me ndërmarrjet tё cilat nuk janë tё licencuara nё Kosovё, respektivisht nuk i njihet licenca e lёshuar nga vendet pёrkatёse, sipas parimit tё reciprocitetit. Bazuar nё kёtё tё gjetur, KEK nuk ka vepruar nё pajtueshmёri me neni 28, par.1 dhe par. 2 dhe neni 30, par.1 tё Ligjit pёr Rregullatorin e Energjisё, neni 32, par.3 tё Ligjit për Energjinë Elektrike, neni 2, par. 2.1.2, 2.1.3 dhe 2.1.6 tё Rregullave tё Tregut, neni 8, par. 1 tё Procedurёs pёr Tregtimin e Energjisё Elektrike”, thuhet në raportin e ZRRE të publikuar dje, shkruan Gazeta Insajderi.

    Sipas raportit, bazuar në legjislacionin në fuqi, aktiviteti i furnizimit dhe tregtimit me energji elektrike mund të ushtrohen vetëm me Licensë të lëshuar nga ZRRE për subjektet juridike që janë të regjistruara në Kosovë, duke përfshirë edhe mundësinë që sipas parimit të reciprocitetit këto aktivitete të lejohen edhe pa Licensat e ZRRE-së.

    Për këtë çështje, dhe jo vetëm tregohet në Raportin e Rregullatorit për Energji, i cili është zbardhur dje.

    Në njërën nga të gjeturat kryesore të ZRRE-s thuhet se KEK ka kërkuar energji nga Korporata Energjetike e Shqipërisë edhe atëherë kur nuk ka pasur nevojë dhe energjinë e pranuar nga KESH e ka ofruar nё treg tё lirё.

    “Një veprim i tillë bie nё kundërshtim me Nenin 1 tё Marrëveshjes për shkëmbim/depozitim tё energjisё elektrike nё mes Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) dhe Korporatës Energjetike tё Kosovës (KEK)”, zbulohet në raport, shkruan Gazeta Insajderi.

    Po ashtu, sipas të gjeturave të ZRRE-së, KEK nuk e ka tё aprovuar procedurën e brendshme të bazuar në funksionin e tyre në treg.

    “Tregtimi i energjisё elektrike pa procedurë tё brendshme ёshtё nё kundërshtim me nenin 2, par. 2 i Procedurës sё Tregtimit tё Energjisë Elektrike”.

    “KEK ka përsëritur procesin e shtijës sё energjisë elektrike edhe nё raste kur ka pasur oferta valide. Një veprim i tillё nga KEK ёshtё nё kundërshtim me nenin 13, par. 1 i Procedurës sё Tregtimit tё Energjisë Elektrike”, vazhdon raporti, shkruan Gazeta Insajderi.

    ZRRE ka konstatuar se KEK-u i ka shitur energji elektrike KOSTT-it për mbulimin e humbjeve në Veri të Kosovës, nën kushtet e marrëveshjes për mbulimin e humbjeve tё sistemit.

    “Shitja e energjisë elektrike tek KOSTT për mbulimin e humbjeve në Veri bie në kundërshtim me procedurën e tregtimit të energjisë elektrike, pasi që në procedurë përcaktohet që tregtimi i energjisë elektrike duhet t’i nënshtrohet tregut të lire dhe konkurrues”, thotë ZRRE, shkruan Gazeta Insajderi.

    Për këto çështje del të jetë e painformuar ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, nën menaxhimin e së cilës është Korporata Energjetike e Kosovës.

    Ajo tha të hënën se nuk ka pranuar informacione zyrtare për gjobën që ZRRE-ja ia ka vendosur KEK-ut

    “Unë nuk kam informata zyrtare për këtë, e kam parë vetëm nga mediat, andaj nuk mund të flas për këtë“, u shpreh Rizvanolli, shkruan Gazeta Insajderi.

    Dosja e Tenderëve në KEK – Për 5 muaj u kontraktuan 61 tenderë me procedurë të negociuar

    Drejtori i Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqi është duke u mbajtur në qendrën e paraburgimit pasi ndaj tij është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditëve nga Gjykata Themelore e Prishtinës. Krasniqi po hetohet për tri vepra penale të cilat ndërlidhen me korrupsion.

    Krasniqi është i dyshuar për nënshkrimin e një kontrate me procedurë të negociuar me kompaninë “Litëin SA” në partneritet me Bujari B. Shala B.I. për riparim kapital emergjent të kaldasë së bllokut A5 të termocentralit “Kosova A”, në vlerë mbi 3.4 milionë euro.

    Lidhur me këtë, KEK’u përmes një komunikatë për media ka thënë se nuk ka paguar asnjë cent për këtë kontratë pasi që e njëjta është anuluar.

    Përpos saj, për pesë muaj – Autoriteti kontraktues ka kontraktuar në procedurë të negociuar rreth 60 tenderë që shumica prej tyre kapin shifra milionëshe. Vlera totale e tyre arrin 76 milionë e 170 mijë e 066.38 euro. Ndërsa tenderi më çmim me të lartë është 55 milionë euro dhe ka të bëjë me modernizimin e turbinave B1 dhe B2, shkruan Gazeta Insajderi.

    Lexo edhe:

    5 muaj – 61 tenderë me procedurë të negociuar

    Tenderi më i madh një burim peshon 55 milionë euro dhe ka të bëjë me modernizimin e turbinave B1 dhe B2, shkruan Gazeta Insajderi.

    Tek rubrika përshkim thuhet se tenderi është i nevojshëm për “Shërbimet e instalimit të gjeneratorëve me avull, turbinave, kompresorëve dhe aparateve djegëse”

    Tender për transportin e punëtorëve të KEK’ut

    Në procedurë të negociuar është dhënë edhe tenderi për Shërbimet e transportit publik me autobus që kap vlerën 18 mijë euro. Ky tender është dhënë për transportin e punëtorëve te KEK-ut relacioni Skenderaj-Drenas dhe anasjelltas për muajin dhjetor.

    Sipas, Kenan Gashit, drejtor në Avonet – këtu është bërë shkelje e Ligjit të Prokurimit sepse kjo procedurë është dashur të shkoj në mënyrë të hapur.

    Procedura e negociuar sipas Nenit 35, të Ligjit të Prokurimit përdoret vetëm në rast të emergjencave ekstreme, shkruan Gazeta Insajderi.

    “Pesë muajt e fundit, autoriteti kontraktues ka zhvilluar afër 60 aktivitet të prokurimit në formë të negociuar, që I bie disa nga këto aktivitete, janë çmime që mund të kryhen nga shumë operator të Kosovës. Këto aktivitet është dashur të zhvillohen në mënyrë të hapur. Pra del që ky institucion ka shkelur ligjin e prokurimit që dyshojmë se është në kundërshtim me kodin penal”, ka thënë ai.

    Cilat janë shkeljet që ka bërë Autoriteti Kontraktues

    Korporata Energjetike e Kosovës ka zhvilluar aktivitet të prokurimit në formë të negociuar të cilat posedojnë shifra të larta deri në miliona. Kjo përbën shkelje të ligjit të prokurimit sepse sipas, Gashit, Autoriteti kontraktues është dashur që për këto të zhvilloj aktivitete  në procedurë të hapur.

    “KEK- u ka zhvilluar aktivitete të prokurimit në formë të negociuar dhe shumica e aktiviteteve të prokurimit posedojnë vlera të larta që është në kundërshtim me ligjin e prokurimit dhe kjo ka shkaktuar një shkelje të rëndë dhe nga kjo arsye institucioni i autoriteti kontraktues është dashur të zhvilloj aktivitet në procedura të hapur sepse shumë shërbime dhe kontrata është dashur të zhvillohen përmes aktiviteti të hapur. Nga kjo është shkelur procedura e autoritet kontraktues që është penalizuar me kodin penal të Republikës së Kosovës, tha ai për Insajderin.

    Kontrata tjetër që u dha pa negocim e që ka të bëjë me dizajnin, furnizimin dhe kryerjen e punëve lidhur me dilatimet e kaldajave B1 dhe B2 në TC Kosova B, kap shifrën e mbi 15 milionë eurove.

    Pa publikim të kontratës u dhanë edhe 8.4 milionë euro të tjera për riparimin kapital të një kaldajeje dhe 2.2 milionë të tjera për prodhimin, liferimin në lidhje me dilatimet e kaldajës B1 dhe B2.

    Krejt këto aktivitete të prokurimit janë zhvilluar në procedurë të mbyllur, e cila sipas Nenit 35, të Ligjit të Prokurimit përdoret vetëm në rast të emergjencave ekstreme, shkruan Gazeta Insajderi.

    Për çka dyshohet kryeshefi i KEK’ut, Nagip Krasniqi

    Policia e Kosovës ka arrestuar të mërkurën kryeshefin e KEK-ut, Nagip Krasniqi, me urdhër të Prokurorisë Speciale.

    Ai dyshohet se ka kryer veprat penale ‘’Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’, Ushtrimi i ndikimit’’ si dhe veprën penale ‘’Konflikti i interesit’’.

    I dyshuar për tri vepra penale të cilat ndërlidhen me korrupsion dhe në paraburgim, Nagip Krasniqi vazhdon të qëndrojë zyrtarisht kryeshef i KEK-ut.

    Arrestimi i Nagip Krasniqit është bërë pas bastisjeve në zyrën e tij, në KEK dhe në dy banesat e tij në lokacione të ndryshme.

    Krasniqi është i dyshuar për nënshkrimin e një kontrate me procedurë të negociuar me kompaninë “Litëin SA” në partneritet me Bujari B. Shala B.I. për riparim kapital emergjent të kaldasë së bllokut A5 të termocentralit “Kosova A”, në vlerë mbi 3.4 milionë euro.

    Nagip Krasniqi u emërua kryeshef i KEK-ut gjatë muajit tetor në vitin 2021. Para se ta merrte këtë pozitë, ai e kishte udhëhequr Komitetin për Energjinë në Lëvizjen Vetëvendosje.

    © Gazeta Insajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark