×
  • Lajme
  • Lajme

    Nga një nismëtar i Ushtrisë në një kundërshtar të saj – egoizimi i Thaçit mund t’i kushtojë FSK-së

    Insajderi
    13 September 2018 - 15:58
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Miratimi i Projektligjeve për transformimin e FSK-së nga qeveria, ka shkaktuar një përçarje ndërmjet presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministrit Haradinaj.

    Presidenti gjatë një paraqitje para gazetarëve u pyet nëse është në dijeni që qeveria do ta miratojë transformimin e FSK-së në Ushtri, por reagoi ashpër.

    Ai tha se për vendime të tilla askush nuk mund të marrë vendime kokë më vete.

    “Ne kemi filluar tash e një kohë një proces të vetëdijesimit dhe kemi arritur në një fazë të rëndësishme të koordinimit. FAK duhet të jenë të mirëpritura dhe të jetë një proces i hapur, i sigurt për Partneritet për Paqe dhe NATO e jo një veprim kokë në vete për ta izoluar dhe për ta lënduar rëndë misionin multietnik të qeverisë. Një veprim i njëanshëm i çon në izolim, një veprim i koordinuar i hap rrugë të sigurt zhvillimit e forcimit”, ka thënë Thaçi.

    Por kohë më pare, marsin e vitit 2017 presidenti zotohej se nëse jo me ndryshimet kushtetuese, Ushtria do të bëhej me ligj, shkruan Insajderi.

    Thoshte se askush nuk ka të drejtë vetoje për formimn e Ushtrisë, dhe serbët nuk mund ta bllokojnë këtë proces.

    Pikërisht në këtë kohë presidenti kishte marrë vendim që ta procedojë për në Kuvend Projektligjin për Ushtrinë.

    Në ceremoninë e dorëzimit të Ligjit te kryeparlamentari Veseli, Thaçi kishte thënë se Ushtria e Kosovës nuk mund të mbetet peng i Beogradit.

    “Deputetët e komunitetit serb janë deklaruar dhjetëra herë dhe kanë qëndrime shumë të qarta se kurrë nuk do të votojnë për ushtrinë e Kosovës dhe se ky qëndrim është drejtpërdrejtë i vendosur në Beograd.Por, ne nuk mund të mbetemi peng i disponimit të Beogradit se a duhet të themelojë Kosova ushtrinë e vet apo jo. Ne jemi vend i pavarur, sovran, kemi kushtetutën dhe ligjet tona dhe vendimet i marrim vet”, deklaronte presidenti.

    Madje Thaçi nuk zmbrapsej. Disa ditë pas dorëzimit të Projektligjit në Kuvend, ai prap insistoi që Ushtria do të bëhet me ligj.

    “Definitivisht Forcat e Armatosura të Kosovës do të bëhen – me ndryshime kushtetuese ose me ligj. Unë mbështes angazhimin për ndryshime kushtetuese, por në të njëjtën kohë nuk lejoj që të mbesim peng i disponimit të Beogradit, e as të tre-katër individëve që ta mbajnë pezull apo ta pengojnë themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës”, kishte thënë Thaçi në marsin e vitit të kaluar.

    Por ky entuziazëm nuk i zgjati shumë. Në fillimin e muajit Prill, Thaçi i kishte dërguar një letër Veselit ku i kërkonte që Projektligji për Ushtrinë të mos procedohet në Kuvend.

    Këtë e arsyetonte me premtimet e partnerëve të Kosovës, për bindjen e serbëve që të votojnë ndryshimet kushtetuese.

    “Për të arritur këtë qëllim, tani së fundmi partnerët strategjikë kanë konfirmuar gatishmërinë e tyre që t’i ndihmojnë institucionet tona në një përpjekje tjetër serioze gjithëpërfshirëse, për të siguruar përkrahjen e të gjitha komuniteteve të Kosovës, në veçanti të komunitetit serb për transformimin e FSK-së në FAK nëpërmjet ndryshimeve kushtetuese”, thuhej në letrën e Thaçit dërguar Veselit.

    Këto veprime të Thaçit i ka kritikuar edhe analisti Imer Mushkolaj.

    Mushkolaj në facebook ia përmendi presidentit kohën kur e pati proceduar ligjin në Kuvend.

    “Vjet Hashim Thaçi insistonte ta krijojë me ligj ushtrinë e Kosovës. Madje e pat procedu edhe projektligjin në Kuvend. Tash kur Qeveria po e bën pikërisht të njëjtën gjë, Thaçi del kundër. Çka me i thonë këtij njeri?”, ka shkruar Mushkolaj.

    Duke folur për Ushtrinë në një konferencë për media, sot kryeministri Haradinaj tha se për këtë gjë janë konsultuar vazhdimisht me partnerët.

    Por sipas tij në fund është vendimi i Kosovës i bazuar në Kushtetutë.

    “Disa vendime janë tonat. Janë në kuadër të kompetencave tona, por do të kemi konsultime me të gjithë. Po veprojmë sipas Kushtetutës. Kemi vazhduar konsultat me faktorin ndërkombëtar, por vendimi është i yni. Është dinamika kohore që e ka sjellur tani këtë projektligj. Urime për Kosovën”, ka thënë Haradinaj.

    Ndryshe miratimin e projektligjeve për FSK-në e kanë përshëndetur edhe ministra, deputetë, e zyrtarë të PDK-së. /Insajderi.com

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark