Sezonin e kaluar ishte pa dyshim një nga sulmuesit më të mirë në Europë: shënoi 21 gola në Erdivisie, 2 në Kupën e Holandës dhe 11 në Champions League. U transferua nga Ajaxi i Amsterdamit te Borussia e Dortmundit për një shumë që shkon afër 35 milionë euro, por fatkeqësisht duhet të qëndrojë larg futbollit për shkak të një sëmundjeje të rëndë.
Sebastien Haller kalon nga parajsa në ferr. Pak javë më parë u diagnostikua me kancer në testikuj e për rrjedhojë duhet t’i nënshtrohet kimioterapisë, çka do të thotë se për aq kohë sa të zgjasë trajtimi i specializuar, nuk mund të stërvitet dhe të luajë futboll. Gjithsesi, Borussia e Dortmundit, në njoftimin për shtyp për situatën e sulmuesit me origjinë nga Bregu i Fildishtë (ka lindur në Francë), shkruan se ai është operuar dhe mundësitë për t’u rikuperuar janë të mëdha, port ë paktën për muaj me radhë ai do të qëndrojë larg futbollit.
Rezultatet e analizave të thelluara mjekësore treguan se tumori në testikuj është malinj, ndaj është e pashmangshme ndërhyrja edhe me kimioterapi. Në njoftimin e Dortmundit theksohet se gjatë javëve në vazhdim nuk do të ketë asnjë komunikim të ri sa i përket trajtimit të Haller.