
Një incidenti ka ndodhur gjatë një ndeshjeje të grupmoshës U15 mes SHF “Arsenali” dhe SHF “Fushë Kosova”.
Gjatë pjesës së parë të ndeshjes, para dy dite, një person i paautorizuar ka hyrë në fushën e lojës dhe ka sulmuar fizikisht një lojtar të SHF “Fushë Kosova”, i cili është pjesëtar i komunitetit ashkali.
Lojtari që u sulmua është Belgin Jashari. Ai ka vetëm 13 vjeç.
Në një intervistë më parë ai kishte rrëfyer se ëndërra e tij u realizua kur u pranua në SHF “Fushë Kosova”.
Por, që shumë herë gjatë lojës nga kundërshtarët është ofenduar për shkak të përkatësisë etnike.
“Atë moment kur ia nisen të më ofendojnë kam pas idenë më dha goll dhe e lash. Pata probleme në kokë tem edhe fillova me qajt, erdhën shokët dhe trajnerët dhe filluan me m’fol dhe i harrova ofendimet”, kishte treguar ai.
Ndryshe lidhur me sulmin e fundit, kishte reaguar SHF “Fushë Kosova” ku thanë se janë të indinjuar nga incidenti i ndodhur.
“Ne, si përfaqësues të sportit dhe përkrahës të vlerave të bashkëjetesës dhe respektit ndërmjet komuniteteve, jemi thellësisht të shqetësuar dhe të indinjuar nga incidenti i ndodhur sot gjatë ndeshjes së grupmoshës U15 ndërmjet SHF Arsenali dhe SHF Fushë Kosova.
Gjatë pjesës së parë të ndeshjes, pas një momenti tensioni mes lojtarëve në fushë, një person i paautorizuar ka hyrë në fushën e lojës dhe ka sulmuar fizikisht lojtarin me numër 7, Belgin Jashari – një veprim i motivuar, për fat të keq, nga përkatësia etnike e lojtarit si pjesëtar i komunitetit Ashkali”, thuhet në reagim.
Aty thuhet se ndaj Belgin Jasharit edhe është përdorur gjuhë me përmbajtje të rëndë racore.
“Sulmuesi ka përdorur gjithashtu fjalor ofendues dhe gjuhë me përmbajtje të rëndë racore.Ky akt përbën shkelje të rëndë të etikës sportive, të të drejtave të njeriut dhe të vlerave që promovon futbolli si sport bashkues. I bëjmë thirrje Lidhjes Rajonale të Futbollit të Prishtinës, si dhe organeve kompetente, që të reagojnë menjëherë, të hetojnë rastin dhe të marrin masa konkrete ndaj personit përgjegjës, në mënyrë që ngjarje të tilla të mos përsëriten më. Futbolli është dhe duhet të mbetet një hapësirë ku rinia e të gjitha komuniteteve ndjehet e barabartë, e respektuar dhe e mbrojtur”, thuhet aty.
Edhe Rrjeti i OJQ-ve për Avancimin e të Drejtave të Komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptian dhe Luftimin e Diskriminimit Etnik ka reaguar me shqetësim të thellë ndaj një incidenti.
Në deklaratën publike, Rrjeti dënon ashpër këtë akt të papranueshëm dhe kërkon reagim të menjëhershëm nga ana e Lidhjes Rajonale të Futbollit të Prishtinës dhe nga të gjitha organet kompetente që kanë për detyrë garantimin e sigurisë dhe barazisë në sport.