Insajderi
Lajme

Nga skena artistike drejtë politikës- Fetah Paçarizi synon postin e deputetit, garon me numrin 89 në listën e PDK-së

Insajderi
13 December 2025 - 18:01
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Nga skena artistike drejtë politikës- Fetah Paçarizi synon postin e deputetit, garon me numrin 89 në listën e PDK-së
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Fetah Paçarizi ka shpallur kandidaturën për deputet në Kuvendin e Kosovës, duke garuar në listën e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK). Me një biografi që ndërthur angazhimin politik, kontributin në luftë dhe një karrierë të gjatë në kulturë e art, Paçarizi synon të përfaqësojë qytetarët me fokus të veçantë në zhvillimin e kulturës, artit dhe sportit.

I inkuadruar që në rininë e hershme në lëvizjen ilegale LPRK, Paçarizi ka qenë i burgosur politik nga regjimi i kohës.

Gjatë luftës, ai ishte pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe më pas edhe e UÇPMB-së, duke ndërtuar një profil të hershëm angazhimi në proceset çlirimtare dhe shtetndërtuese.

Në planin profesional, Paçarizi ka përfunduar Akademinë e Arteve në Tiranë, ku ka fituar titullin shkencor “Master i Shkencave dhe Arteve të Bukura”.

Një nga kapitujt më të spikatur të karrierës së tij është drejtimi për një dekadë i Teatrit Profesional “Bekim Fehmiu” në Prizren, ku shërbeu si drejtor i përgjithshëm për dhjetë vjet. Gjatë kësaj periudhe, ai themeloi ansamblin rezident të teatrit, siguroi nënkod buxhetor dhe realizoi rekrutimin e stafit artistik, administrativ dhe teknik në paga shtetërore. Nën drejtimin e tij, teatri u pagëzua me emrin e aktorit të madh Bekim Fehmiu dhe u shndërrua në një nga institucionet më të respektuara teatrore në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut.

Projektet teatrore të realizuara nën udhëheqjen e Paçarizit u vlerësuan me mbi 40 çmime kombëtare dhe ndërkombëtare, si dhe me dy çmime nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit për shfaqjet më të mira në nivel vendi. Në vitet 2019–2020, Paçarizi ishte anëtar i Këshillit Drejtues të Qendrës Kinematografike të Kosovës.

Ndërkohë, kontributi i tij në kulturë është vlerësuar edhe me çmime dhe mirënjohje institucionale: “Punëtori i Vitit për Kulturë” nga DKRS në vitin 2015, çmimi për aktorin më të mirë në vitin 2017, mirënjohje për kontribut maksimal për teatrin e Prizrenit në Ditën Botërore të Teatrit në vitin 2020, si dhe mirënjohje nga Komuna e Prizrenit në vitin 2021 për menaxhimin e suksesshëm dhjetëvjeçar të teatrit. Tashmë, me hyrjen në garën politike, Fetah Paçarizi synon ta bartë përvojën e tij shumëdimensionale në Kuvendin e Kosovës.

Nga PDK dhe mbështetësit e tij pritet që ai të jetë një zë i fuqishëm dhe përfaqësues dinjitoz, veçanërisht për politikat publike në fushën e kulturës, artit dhe sportit, por edhe për interesat e përgjithshme të qytetarëve të Kosovës.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark