Qeveria në detyrë e Kosovës ka miratuar të premten vendimin për rritjen e pagës minimale, duke e ndarë këtë proces në dy faza gjatë vitit 2026.
Sipas Ministrit në detyrë të Financave, Hekuran Murati, nga 1 janari i vitit të ardhshëm paga minimale do të rritet në 425 euro, ndërsa nga 1 korriku 2026 do të arrijë në 500 euro.
“Qeveri në shërbim të qytetarëve!”, ka shkruar ai pas vendimit.
Ky vendim, megjithatë, ka rikthyer në vëmendje qëndrimet e dikurshme të vetë Muratit për pagën minimale prej 500 eurosh.
Vetëm dy vite më parë, në vitin 2023, ai kishte ironizuar hapur një propozim të tillë, duke e quajtur “tallje me qytetarët”.
“Qytetarët duhet ta dinë se nuk do të bëhet paga minimale, edhe këta që kanë votuar për e dinë që nuk do të bëhet, sepse kemi të bëjmë me një nivel mbi nivelin mesatar. S’ka ndodhë askund në botë. Qytetarët duhet ta dinë se propozimet e tilla janë tallëse me qytetarët, shpresa të rreme, edhe qëllimi paska qenë me kriju zhgënjim përmes këtij projektligji”, deklaronte atëherë Murati.
Vetëm pak muaj më vonë, ministri që dikur fliste për “shpresa të rreme”, vetë del para publikut për të kumtuar pikërisht të njëjtën shifër që dikur e konsideronte të pamundur dhe të papranueshme.
Rikthimi i tij në këtë temë me qëndrim krejt të kundërt ka nxitur reagime dhe dyshime mbi koherencën e politikave të Qeverisë Kurti në raport me premtimet për mirëqenie ekonomike.
Nëse një vit më parë “paga 500 euro” ishte “e paarritshme dhe tallje me qytetarët”, sot ajo është shpallur si sukses qeveritar – duke e bërë të qartë se, në politikë, metamorfozat ndonjëherë ndodhin më shpejt se reformat./Insajderi