Prokuroria Themelore në Gjilan gjatë ditës së sotme ka ngritur aktakuzë ndaj të katër persona G.P., M.Sh. V.I. dhe Gj.N, për shkak të veprave penale ’Uzurpimi i paligjshëm i pronës së paluajtshme’ dhe ‘’Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Sipas aktakuzës njëri nga të dyshuarit G.P ka uzurpuar disa prona me të cilat administron Agjencia Kosovare e Privatizimit.
“I pandehuri G.P., që nga viti 2021, në mënyrë të kundërligjshme ka uzurpuar dy parcela kadastrale, njëra në sipërfaqe prej 14357 m² dhe tjetra në sipërfaqe prej 8859 m², pronë e Ndërmarrjes Shoqërore “Ereniku Prodhimtaria Primare” në Gjakovë, me të cilën administron Agjencia Kosovare e Privatizimit, ashtu që i pandehuri në vazhdimësi ka shfrytëzuar këto prona duke ndërtuar 3 objekte dhe duke vendosur një kontejner, pa ndonjë bazë të vlefshme juridike”, thuhet në njoftim.
Ndërsa tre të dyshuarit e tjerë si persona zyrtarë me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror kanë keqpërdorur detyrën zyrtare.
“Të pandehurit V.I. dhe M.SH., në cilësinë e Kryetarit të Komisionit për Komasacion nga Drejtoria për Kadastër, Gjeodezi dhe Pronë në Komunën e Gjakovës, si dhe i pandehuri Gj.N., në cilësinë e Drejtorit të Drejtorisë për Kadastër, Gjeodezi dhe Pronë në Komunën e Gjakovës, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror kanë keqpërdorur detyrën zyrtare, duke qenë në dijeni se parcelat e sipërshënuara janë pronë e Ndërmarrjes Shoqërore “Ereniku Prodhimtaria Primare” në Gjakovë, me të cilën administron Agjencia Kosovare e Privatizimit, ashtu që i pandehuri V.I., i ka mundësuar palës A.N., bartjen e pronës në emër të tij, duke u bazuar në kërkesën e tij verbale”, thuhet tutje në njoftim.
Më tutje në njoftim thuhet se i dyshuari M.SH i ka mundësuar palës A.N bartjen e pronës në emër të tij.
“I pandehuri M.SH., i ka mundësuar palës A.N., bartjen e pronës në emër të tij, duke nxjerrë aktvendim, si dhe duke përpiluar dhe nënshkruar kopjen e planit për parcelën, ndërsa, i pandehuri Gj.N., i ka mundësuar të pandehurit G.P. bartjen e pronës në emër të tij, duke nxjerrë aktvendim me të cilin të njëjtit i aprovohet kërkesa për bartjen në pronësi të parcelave”.