Presidenti serb, Tomislav Nikoliq ka dhënë një çmim për presidentin e Sudanit, Omar Hassan al-Bashir si falënderim që shteti i tij nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës, njofton zyra e Presidentit në Serbi.
Duke iu përgjigjur kritikave të disa medieve në Serbi për ndarjen e këtij çmimi kontraversal për shkak të dyshimeve kundër presidentit të Sudanit nga ana e Gjykatës Ndërkombëtare të Krimeve, Nikoliq ka thënë se krejt kjo zhurmë është krijuar për t’i dhënë imazh të keq marrëdhënieve të Serbisë me këtë gjykatë.
“Serbia e ka nderuar presidentin e Sudanit si mirënjohje dhe respekt ndaj këtij shteti që nuk e ka njohur shpalljen e një anshme të pavarësisë nga Serbia të Kosovës e Metohisë”, thuhet në deklaratën e Zyrës së Presidentit në Serbi.
Cmimi, presidentit të Sudanit i ishte dhënë në shkurt të vitit 2016, në Ditën e Pavarësisë së Serbisë, i cili është zyrtarisht i akuzuar për gjenocid në Darfur.