Besnik Mujeci, asamblisti i dy mandateve në Komunën e Prishtinës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje në Komunën e Prishtinës, u arrestua gjatë ditës në Shqipëri pasi dyshohet se u kap teksa trafikonte drogën për atje nga Kosova.
Mujeci përveç aktiviteteve kriminale, kryente edhe akte patriotike. Në një fotografi me asamblistin tjetër të VV-së, Egzon Azemin, kishte realizuar një fotografi pranë bustit të Skenderbeut, shkruan Gazeta Insajderi.
“Nipat e Skenderit”, ishte mbishkruar fotografia që mban datën e vitit 2020.
Mujeci me disa të tjerë u kapën në Tiranë me një dërgesë narkotike prej 11,300 tabletash të llojit ‘ekstazi MDMA’ me peshë 5.093 kilogramë, me vlerë përreth 400 mijë euro.
Si shkak i kësaj, Lëvizja Vetëvendosje e ka shkarkuar nga strukturat partiake Mujecin.
“Si rrjedhojë Komisioni Diciplinor i Lëvizjes VETËVENDOSJE! në mbledhjen e tij mori vendim për përjashtimin e anëtarit Besnik Mujeci nga anëtarësia dhe të gjitha strukturat e Lëvizjes VETËVENDOSJE”, njoftoi sekretari organizativ i VV-së, Alima Rama.