Gëzim Tosuni është zgjedhur kryesues i bordit të KOSTT’it sot. Dritën e gjelbër ia dha Kuvendi, ku deputetët e partisë në pushtet e votuan atë dhe anëtarët e tjerë. Përveç postit publik si profesor i asociuar në Universitetin e Gjilanit, Tosuni ka pasur aventura të shkurtra edhe në pozita të ndryshme shtetërore. Atë të anëtarit të Këshilltit Shtetëror të Cilësisë dhe dikur anëtarit të bordit për nostrifikimin e diplomave në MASHTI. Nipi i Besnik Bislimit, zëvendëskryeministrit, ia mësynte edhe garës për guvernator të BQK’së, por që s’arrinte t’i kalonte fazat testuese.
Gazeta Insajderi
Me 58 vota për, nipi i Bislimit u zgjodh kryesues i KOSTT’it. Të gjitha votat atij i erdhën nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje.
Si anëtarë të rinj u emëruan Lumnije Zeka dhe Gëzim Tosuni edhe Rejhane Zylfiaj.
Rejhane Zylfiaj mori 57 vota, Gëzim Tosuni mori 58 vota, e Lumnije Zeka 55 vota.
Meqë Tosuni kishte më së shumti vota, ai u zgjodh edhe Kryesues i Bordit të Drejtorëve. Mandati i tyre është 4-vjeçar.
Tosuni krahas kësaj, do ta mbajë edhe pozitën e profesorit të asociuar në Universitetin e Gjilanit.
Sidoqoftë, nipi i Bislimit kishte aventura të tjera në pozita shtetërore. Më 2021-ën, nipi i numrit dy të qeverisë ishte zgjedhur anëtar i Këshillit Shtetëror të Cilësisë, e cila merret me mbikëqyrjen e Agjencisë Kosovare për Akreditim, që ka të bëjë me akreditimin e institucioneve të arsimit të lartë.
Në të njëjtën kohë, ai mbante edhe pozitën e anëtarit të bordit për nostrifikimin e diplomave në MASHTI. Për këtë pozitë, Tosuni u detyrua të jepte dorëheqje nga kjo pozitë pasi Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit konstatoi se kishte konflikt interesi.
Pas këtyre aventurave në pozita shtetërore, ai ia kishte mësyrë edhe garës për guvernator të BQK’së. Postin e guvernatorit po e synonin hiq më pak se 14 kandidatë. Më pas, Tosuni ishte eliminuar nga gara për pozitën e guvernatorit të BQK’së. Madje ai nuk e kishte kaluar as fazën e intervistimit dhe ishte eliminuar nga gara.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, kishte deklaruar se e kishte pyetur zëvendëskryeministri Bislimi për nipin e tij dhe se ai i kishte thënë që ka 50 vite që nuk e ka parë nipin e tij.
Paga vjetore për pozitën e kryesuesit të bordit të KOSTT’it për nipin e Bislimit pritet të jetë afro 10 mijë euro. Ndërkaq, ajo vjetore si profesor i asociuar në Universitetin e Gjilanit është afro 14 mijë euro. /Insajderi.org/