Chelsea ka bërë të ditur se i kanë ndarë rrugët me legjendën e tyre, Petr Cech.
Sipas njoftimit të tyre, ish-gardiani që ishte në rolin e këshilltarit teknik dhe i performancës, do largohet më qershor.
“Klubi i Futbollit Chelsea njofton sot se Petr Cech, Këshilltari Teknik dhe i Performancës, do të largohet nga roli i tij efektiv më 30 qershor”, thuhet në komunikatën e tyre.
“Që nga emërimi i tij tre vjet më parë, Cech ka dhënë këshilla dhe udhëzime për të gjitha çështjet e futbollit dhe performancës në të gjithë Klubin, duke forcuar lidhjet midis ekipeve tona të meshkujve dhe Akademisë”.
Cech deklaroi: “Ka qenë një privilegj i madh të luaja këtë rol te Chelsea për tre vitet e fundit. Me klubin nën pronësinë e re, ndjej se tani është koha e duhur për mua të largohem. Jam i kënaqur që klubi tani është në një pozitë të shkëlqyer me pronarët e rinj dhe kam besim në suksesin e tij të ardhshëm si brenda dhe jashtë fushës”.
Todd Boehly në anën tjetër potencoi: “Petr është një anëtar i rëndësishëm i familjes Chelsea. Ne e kuptojmë vendimin e tij për t’u larguar dhe e falënderojmë për kontributin e tij si këshilltar dhe përkushtimin e tij ndaj klubit dhe komunitetit tonë. I urojmë më të mirën”.