Ka nisur në Gjykatën Themelore në Prishtinë seanca ku pritet të jepet fjala përfundimtare për vrasjen e Liridona Ademajt, një prej rasteve më tronditëse të viteve të fundit në Kosovë.
Në bankën e të akuzuarve janë ulur bashkëshorti i të ndjerës, Naim Murseli, i cili akuzohet si organizator i vrasjes, Granit Plava si ekzekutor dhe Kushtrim Kokalla për marrëveshje për kryerjen e krimit.
Gjatë këtij procesi, versionet e të akuzuarve kanë qenë kontradiktore. Naim Murseli ka insistuar deri në fund se ngjarja ishte një grabitje e thjeshtë për para dhe telefona, por ky version është sfiduar ashpër nga kryetarja e trupit gjykues, Fatime Dermaku, e cila ka prezantuar prova që tregojnë një skenar të mirëfilltë vrasjeje.
Nga ana tjetër, i akuzuari Granit Plava ka rënduar pozitën e Murselit duke ndryshuar deklaratën dhe duke pranuar se vrasja është kryer në bashkëpunim me të. Edhe i akuzuari i tretë, Kushtrim Kokalla, në seancat paraprake ka dhënë detaje tronditëse mbi atë që ka ndodhur natën kritike kur mbeti e vrarë Liridona.
Pas fjalës përfundimtare të sotme, trupi gjykues pritet të tërhiqet për të shpallur aktgjykimin, i cili do të përcaktojë dënimin për tre të akuzuarit./Insajderi.org