×
Show

Nisin dietën murgjit tajlandez

Insajderi
29 March 2016 - 13:23
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Murgjit në Tajlandë po e humbin imazhin e tyre të mirë te populli me shumicë budiste se ata janë shembull i një jete të drejtë, të përulur dhe të shëndetshme. Sipas një studimi të ri, rreth gjysma e murgjve të këtij shekulli janë obezë. Kjo është një arsye e fortë se përse tani ata po i hyjnë dietës dhe stërvitjes fizike

Shëtitja e hershme mëngjesore e murgjve që mbajnë në dorë tasa ku hidhen donacionet, është një ritual i njohur dhe i përditshëm në Tajlandë. Por shkencëtarët tani kanë arritur në përfundimin se tradita po kontribuon në një epidemi obeziteti mes murgjve budistë.

Sipas një studimi të ri, rreth gjysma e murgjve të këtij shekulli janë obezë dhe vuajnë nga sëmundje shëndetësore, si presioni i lartë i gjakut, diabeti dhe kolesteroli i lartë.

Shtimi në peshë ndodh kryesisht prej donacioneve që bëhen në dietën e tyre të përditshme, kanë arritur në përfundim shkencëtarët. Lëmoshat shpesh konsistojnë në lëngje frutash, çaj të ëmbël, ushqime të pashëndetshme dhe produkte rruge – të gjitha të pasura me yndyra dhe sheqer.

Po ashtu, natyra kryesisht sedimentare e jetës së tyre në tempull, ku kalohet shumë kohë ulur duke u lutur dhe medituar, po e bën edhe më keq problemin. Akademikët dhe zyrtarët e lartë fetarë e shëndetësorë tani kanë filluar një fushatë të re, që të promovojnë një jetë më të shëndetshme dhe t’u mësojnë murgjve si të përgatitin vakte ushqimore që të jenë të balancuara. Stërvitja e trupit është po ashtu një pikë tjetër e rëndësishme në luftën ndaj epidemisë së obezitetit.

Synimi është të ndihmohen murgjit të jetojnë më gjatë dhe më shëndetshëm, por gjithashtu të pakësohen kostot mjekësore që i mbulon qeveria.

Jongjit Angkatavanich, një eksperte e shëndetit në Universitetin e njohur Chulalongkorn të Bangkokut, tha se studimi tregoi se 48 për qind e murgjve janë obezë.

“Obeziteti te murgjit tanë është një bombë me sahat”, tha ajo për “Bangkok Post”. Studimi i saj zbuloi se 42 për qind e murgjve kanë nivele të larta kolesteroli, 23 për qind vuajnë nga presioni i lartë i gjakut dhe më shumë se 10 për qind janë me diabet.

Megjithëse mund të ketë një mosmarrëveshje rreth masave të obezitetit, sfida po bëhet gjithnjë e më e madhe që të mbahet nën kontroll obeziteti, i cili është më se i qartë te murgjit.

Për këtë punë, studiuesit e Universitetit të Shkencave të Shëndetit po bashkëpunojnë me organizatat fetare për të lançuar një program kombëtar në luftën e obezitetit te murgjit.

Ata kanë filluar tashmë një projekt provë për të trajnuar kuzhinierë në një universitet publik për budistë në Tajlandë. Ata synojnë t’u mësojnë studentëve si të përgatisin vakte të pasura me proteinë, fibra dhe kalcium dhe t’i inkurajojnë murgjit të shtojnë aktivitetin fizik.

 

OP-ED
Nga Rubrika

© 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Impressum

Kontakt

Trademark