Insajderi
Hulumtime/Analiza

Një ditë pas arrestimit të Visar Krasniqit nën dyshimet për mashtrim me dokumente, kompania e tij merr tender nga Komuna e Drenasit

Insajderi
27 November 2025 - 19:11
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Një ditë pas arrestimit të Visar Krasniqit nën dyshimet për mashtrim me dokumente, kompania e tij merr tender nga Komuna e Drenasit
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

(Ky artikull është i edituar: është shtuar një reagimi i Komunës, në momentin që ata e kanë publikuar)

Komuna e Drenasit i ka dhënë tender për furnizim me pajisje të teknologjisë kompanisë “Infinitt SH.P.K”. Kjo kompani ka për pronar Visar Krasniqin i cili u arrestua këtë të martë nën dyshimet për mashtrim në prokurim publik në tenderë. Por vetëm një ditë pasi iu arrestua pronari, kjo kompani fitoi një tender nga Komuna e Drenasit.

Gazeta Insajderi

INFINITT ” SH.P.K, është ‘shpërblyer’ ditën e djeshme (26.11.2025) me kontratë nga Komuna e Drenasit.

Vlera e tenderit ishte parashikuar 13,200.00, por që kur u dha u tejkalua vlera e parashikuar.

14 mijë e 200 euro, komuna që udhëhiqet nga Ramiz Lladrovci i dha për “Furnizim me paisje teknologjike“.

Por, kompania që e fitoi tenderin ka pronarin e arrestuar më 25.11.2025 nga policia.

U arrestua për mashtrim të Komunës së Gjilanit me dokumente, kush është “rekordmeni” i tenderëve që ra në pranga?

Policia e Kosovës njofto të martën për arrestimin e një personi për mashtrim në prokurim publik. Dyshohet se dokumentet e prezantuara ishin me afat të skaduar. Bëhet fjalë për kompaninë “Infinitt SH.P.K”, me pronar Visar Krasniqin. Kjo kompani ka fituar një numër të madh tenderësh gjatë këtij viti.

Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK), përkatësisht Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Gjilan, në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Gjilan, pas veprimeve operative-hetimore ka grumbulluar prova që ngrenë dyshime të bazuara se i dyshuari ka vepruar në kundërshtim me legjislacionin për prokurim publik.

Rasti lidhet me aktivitetin e prokurimit me titull: “Furnizim me tabela të mençura për shkollat e mesme në Komunën e Gjilanit”. Hetimet paraprake tregojnë se Visar Krasniqi ka paraqitur certifikata në kundërshtim me standardet ISO, për të cilat ekzistojnë dyshime se kanë qenë me afat të skaduar, me qëllim përfitimi të kundërligjshëm dhe manipulim të procedurës.

Krasniqi është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës, ndërsa Prokurori i çështjes ka lëshuar aktvendim për ndalimin e tij për 48 orë, derisa hetimet po vazhdojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat dhe përgjegjësinë penale në këtë rast.

Lidhur me tenderin në fjalë, ishin evidentuar një numër parregullsish. Fillimisht ka pasur ankesë nga një operator ekonomik, për çka është miratuar si e bazuar.

Infinitt SHPK ishte ofertuesi i dytë me çmimin më të shtrenjtë, gjegjësisht 975,45 euro. Tenderi është dhënë nga Komuna e Gjilanit në maj të këtij viti.

Në dosjen e tenderit, shihet se një nga kriteret kryesore të përshtatshmërisë ishte certifikata ISO 9001 2015, Certifikata ISO 14001 2015 dhe Certifikata ISO 20000, dokumente këto për të cilat dyshohet se Krasniqi i prezantoi si të skaduara.

Numri i madh i tenderëve, i fituar nga INFINITT SHPK

Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik gjatë këtij viti ka prezantuar një pasqyrë mbi aktivitetet e zhvilluara në prokurimin publik. Në bazë të këtij raporti nëntë-mujor, figuron se kompania me numrin më të madh të kontratave përgjatë këtij viti është INFINITT SHPK.

Kompania e Krasniqit ka marrë 143 kontrata, me një diferencë prej afro gati 100 kontrata më shumë sesa kompania e dytë në listë- Europrint Group, e cila ka marrë 54 sosh.

Kjo kompani ka fituar tenderë nga institucione të ndryshme, si ato qëndroret edhe ato të nivelit lokal.

Një kontratë kornizë me vlerë të madhe së fundmi e ka nënshkruar edhe me Këshillin Prokurorial të Kosovës, në vlerë prej afro 60 mijë euro.

Vetëm përgjatë këtij muaji, kjo kompani ka nënshkruar 15 kontrata publike dhe një kornizë, vlera e së cilës rrumbullaksohet rreth 50 mijë euro.

“INFINITT” SH.P.K. është aktive në tenderët publikë. Në të kaluarën ka qenë në listën e zezë të OSHP’së.

Sipas përshkrimit në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve, INFINITT e ka mjaft të zgjeruar veprimtarinë biznesore, megjithatë kryesorja mbetet tregtia me pakicë e librave nëpër dyqane të specializuara. /Insajderi.org/

Insajderi qëndron prapa raportimit të faktuar, por për hirë të korrektësisë do ta publikoi të plotë reagimin:

“Komuna e Drenasit e demanton lajmin e Insajderit për tenderin e pajisjeve të teknologjisë.

Ky tender është minitender, që do të thotë se Agjencia Qendrore e Prokurimit e ka zhvilluar procedurën dhe operatorët ekonomik, jo vetë Komuna. Ndësa, Zyra e Prokurimit sipas ligjit është e obliguar t’u dërgojë ftesë të gjitha kompanive që AQP i ka futur në këtë listë.

Po ashtu, Komuna nuk i vendos vetë kërkesat teknike. AQP i ka caktuar llojet dhe specifikat e pajisjeve, ndërsa ne vetëm vendosim sasinë dhe i marrim ofertat nga kompanitë e listës.

Fitues bëhet kompania me çmimin më të ulët, dhe kështu ka ndodhur edhe në këtë rast. Duhet theksuar se kontrata nuk është nënshkruar, por është bërë vetëm njoftimi për dhënie.

Deri tani AQP nuk na ka dërguar asnjë njoftim zyrtar që kompania e përmendur në media, të jetë larguar apo përjashtuar nga minitenderi. Për dy të tjera kemi njoftim zyrtar që nuk mund të ofertojnë për mungesë një autorizimi valid për disa pajisje. Derisa të kemi një njoftim të tillë, ne jemi të obliguar të veprojmë sipas listës që AQP e ka miratuar”.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark