×
  • Op-Ed
  • Op-Ed

    Një fermer bambuje për Kryeministër

    Insajderi
    16 February 2021 - 13:38
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Shkruan: Arian Zeka

    E tëra fillon me një farë

    I lodhur me vështirësitë e sigurimit të mbijetesës për familjen, një fermer kinez kishte vendosur që të mbillte disa fara të drurit të bambusë, me shpresën se do të kishte përfitime të shumta pas rritjes së tyre. Ditë pas dite, i kishte ujitur dhe ishte kujdesur për to me dashurinë me të madhe. Megjithatë, pavarësisht kujdesit të treguar, kishin kaluar gati katër vite të plota e asnjë shenjë e vetme e bimëve nuk u pa në vendin ku fermeri kishte mbjellë farat. I përballur me përqeshjen e bashkëfshatarëve, dyshimin për gjendjen e tij mendore, si dhe humbjen e durimit, fshatari ishte zhgënjyer tej mase me të gjitha ato vite, të cilat ai i konsideronte si të shkuara huq. Ajo çfarë ndodhi në vitin e pestë, ishte mrekulli, për të cilën fermeri kinez nuk po mund t’u besonte syve të tij. Drunjtë e bambusë po rriteshin me shpejtësi të pabesueshme – 25 metra në gjashtë javë. Nuk do të mund të kishte shpërblim më të mirë për tërë mundin e palodhshëm, e mbi të gjitha për besimin e tij të vazhdueshëm.

    Përtej elementeve figurative, rrëfimi i mësipërm ilustron në fakt rritjen e drurit të bambusë. Derisa për katër vite të plota mbi sipërfaqe nuk shihet asnjë shenjë e bimëve, nën sipërfaqen e tokës, larg syrit të njeriut, zhvillohet një sistemi i fuqishëm i rrënjëve të bambusë.

    Mbi qeverisjen ekonomike të Kosovës

    Kosova pritet ta përfundojë vitin 2019 me një rritje ekonomike prej rreth 4%. Normë e ngjashme e ka karakterizuar Kosovën vitin e kaluar, por edhe në vitet paraprake. Kjo normë, megjithëse është më e larta në Ballkanin Perëndimor, nuk mund të ndihmojë në zgjidhjen e problemeve të shumta sociale me të cilat përballet vendi. Me pak investime të huaja e me papunësi prej rreth 30%, janë të shumtë qytetarët e Kosovës, të cilët shpresën për jetë më të mirë, synojnë ta realizojnë në shtetet e perëndimit, e posaçërisht të rinjtë, papunësia e të cilëve arrin në mbi 50%.

    Bruto produkti vendor i Kosovës në fund të vitit 2018 arrinte më pak se 8 miliardë dollarë amerikanë, gati sa gjysma e bruto produktit vendor të Shqipërisë, e cila është njëra ndër shtetet me ekonominë më të dobët në Evropë. Në njërën prej adresimeve të fundit, Ambasadori amerikan do të thoshte që për t’u afruar me nivelin e rritjes në Evropë, ekonomia e Kosovës duhet të rritet me 8% në vit përgjatë 30 viteve të ardhshme. Kjo, asesi nuk mund të arrihet po që se vazhdon të ndiqet moda aktuale e marrjes së vendimeve, kryesisht populiste, me të cilat në masë të madhe vendimmarrësit institucionalë joshin votuesit e tyre, në dëm të perspektivës afatgjatë të vendit.

    Dëm, jo më pak të vogël, vendit i bënë edhe korrupsioni i lartë, që cenon mundësitë e barabarta për ata që nuk janë të lidhur me partitë politike. Në mungesë të propozimeve konkrete për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, partitë politike në Kosovë, shpenzojnë pa konsideratë thesarin edhe ashtu të kufizuar të vendit, për të ruajtur pozitën e tyre në pushtet, duke vazhduar t’i thurin vetës lavde për rritjen ekonomike që vazhdon të sillet në më pak se 5%. Një gjë është e sigurtë: nëse jo për shkak të rritjes së autputit ekonomik, bruto produkti vendor për kokë banori do të rritet me doemos për shkak të tkurrjes së popullsisë së vendit!

    Pasojat e votuesve shkurtpamës dhe politikanëve mediokër do të vazhdojnë të ndikojnë më tej negativisht në qeverisjen ekonomike të vendit.

    Një fermer bambuje për Kryeministër

    Si në shumicën e vendeve demokratike, Kushtetuta e Kosovës kufizon mandatin e deputetëve, e me këtë edhe të qeverisjes, në katër vite, e si për ironi të fatit në kundërshtim me rrjedhën e mbirjes së bambusë. Në një situatë të tillë, vendimmarrësit politikë përzgjedhin vendime të cilat kanë rezultate më të shpejta, brenda mandatit të planifikuar katërvjeçar, ani pse me efekte afatshkurta. E rëndësishme është që fotografitë nga prerjet e shiritave, e njoftimet për vendime të tjera populiste të arrijnë sa më shpejtë tek votuesit përmes rrjeteve sociale.

    Pyetja thelbësore është ku të gjenden politikanë të tillë, të cilët do të kenë vizionin dhe durimin e fermerit kinez nga rrëfimi i mësipërm, për të parë rezultatet e punës së tyre, që shtrihen përtej mandatit të rregullt katërvjeçar.

    “Nuk mund të udhëheqësh nga turma,” do të thoshte njëra ndër politikanet më të fuqishme të globit, ish Kryeministrja e Britanisë së Madhe, Margaret Thatcher, e cila do të kishte guximin të ballafaqohej me sindikatat më të fuqishme të vendit. Ajo do të qëndronte fuqishëm mbrapa politikave të cilat do të sillnin ndryshimin e duhur për Britaninë, në kohën kur shumë bashkëpunëtorë të saj do të favorizonin situatat pa konfrontime dhe presione. Thatcher do ta konsideronte tradhti ndaj britanikëve, ndjekjen e popullaritetit duke sakrifikuar stabilitetin dhe prosperitetin e ardhshëm.

    Pyetja edhe më e rëndësishme është se a do të arrijnë kosovarët të demonstrojnë durimin e duhur, pa përqeshur dhe dyshuar në aftësitë mendore të atyre politikanëve të cilët do të përmbahen nga veprimet populiste, si ngritja e pagave për punonjësit publikë, punësimi i militantëve partiakë dhe miqve e familjarëve të tyre, si dhe investimi në autostrada pa arsyeshmëri ekonomike. A do të mund shoqëria kosovare të sakrifikojë përfitimet personale për llogari të një përfitimi të përgjithshëm afatgjatë? A do të mund të pajtohemi të gjithë me paga dhe pensione më të ulëta sot, për më shumë vende pune për të rinjtë dhe mirëqenie më të madhe për të gjithë nesër?

    Në rast të përgjigjeve ideale në pyetjet e mësipërme, Kosova do të mbillte farat e duhura të zhvillimit, do të ujiste ato me politika të drejta, fuqizim të sundimit të ligjit e të sistemit arsimor, funksionalizim të ekonomisë së tregut, favorizim të meritokracisë në vend të nepotizmit, dhe luftim të korrupsionit e ofrim të mundësive të barabarta për të gjithë. E ngjashëm me bambunë kineze, viti i pestë do të na sillte një rritje më të lartë ekonomike, të nxitur nga investimet e sektorit privat dhe investimet e huaja, në vend të investimeve publike dhe dërgesave nga diaspora. Vizioni, mundi dhe durimi ynë do të shpërbleheshin tej mase.

    Arian Zeka është Drejtor Ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark