Insajderi
Lajme

Një herë gjashtë anëtarë të KGJK’së “nuk ditën” të votonin, tash mësohen- zgjedhin kryetaren e re të gjykatës në Gjakovë

Insajderi
06 November 2025 - 11:26
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Një herë gjashtë anëtarë të KGJK’së “nuk ditën” të votonin, tash mësohen- zgjedhin kryetaren e re të gjykatës në Gjakovë
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) ka zgjedhur për kryetare të Gjykatës Themelore të Gjakovës, Fëllanza Knushaj, me mandat prej pesë vitesh.

Nga dhjetë votat e anëtarëve, Knushaj mori shtatë, kurse kandidati tjetër Drilon Haraçia mori tri.

Paraprakisht, kryetarja e Komisionit për intervistim- Arjeta Sadiku tha se Knushaj mori nga Komisioni 77.06 pikë, ndërkaq Haraçia 80.00 pikë.

Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) ka bërë të ditur për Gazetën Insajderi se në konkursin e parë dhjetë anëtarët e këshillit morën pjesë në votim të fshehtë pas prezantimit të raportit nga ana e kryetares së komisionit, Arjeta Sadiku. Gjashtë nga 10 vota u shpallën të pavlefshme.

Në garë ishin Drilon Haraqia që mori 80,34 pikë dhe Sulltan Dobraj 75,68 pikë.

“Në raundin e parë të votimit, kandidati Drilon Haraqia ka marrë 3 vota të vlefshme, kandidati Sulltan Dobraj 1 votë të vlefshme, ndërsa 6 vota janë shpallur të pavlefshme, rrjedhimisht sipas procedurave asnjëri kandidat nuk ka arritur shumicën e thjeshtë të votave të nevojshme për përzgjedhje”, thuhet në përgjigjen e KGJK’së.

I njëjti rezultat është përsëritur edhe në raundin e dytë të votimit.

“Meqenëse asnjëri kandidatët nuk ka marrë shumicën e nevojshme të votave, Këshilli ka vendosur për rishpallje të konkursit, pasi që në bazë të Rregullores Nr. 12/2022, për Procedurën e Zgjedhjes, Emërimit, Pezullimit dhe Shkarkimit të Kryetarëve të Gjykatave dhe Gjyqtarëve Mbikëqyrës në këtë fazë ishin konsumuar hapat procedural dhe ishte shterur procedura e votimit”.

“Lidhur me mënyrën e votimit në Këshill, ju njoftojmë se votat e pavlefshme janë trajtuar në përputhje me rregullat e votimit të fshehtë dhe anëtarët e Këshillit kanë ushtruar te drejtën e tyre Kushtetuese dhe ligjore në diskrecion të plotë gjatë procesit të votimit dhe marrjen e vendimit, në mënyrë të pavarur”, vijon përgjigja e KGJK’së. /Insajderi.org/


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark