Të martën u arrestuan dy zyrtarë të Komunës së Suharekës. Enver Shabani drejtor i Shërbimeve Publike dhe Berat Kabashi zyrtar në drejtorinë e njëjtë. Të dy dyshohet se e keqpërdorën detyrën zyrtare me qëllim të përfitimit personal. Gazeta Insajderi mëson se një javë para arrestimit komuna e Suharekës e kishte shpërblyer me tender Organizatën Joqeveritare të themeluar nga Enver Shabani. Vlera e kontratës kap shifrën mbi 100 mijë euro.
Komuna e Suharekës ka shpërblyer me tender Organizatën joqeveritare të themeluar nga drejtori i Shërbimeve Publike, Enver Shabani i cili u arrestua dy ditë më parë për keqpërdorim të detyrës zyrtare, shkruan Gazeta Insajderi.
Me 15 gusht 2023, Komuna e Suharekës ka shpallur fitues të tenderit për “Shërbime profesionale të zjarrfikëseve”, Organizatën joqeveritare “Shoqata e Zjarrfikësve Vullnetar dhe Shpëtimit“.
Vlera e kontratës që u nënshkrua është 119,520 euro.
Drejtor ekzekutiv i i organizatës është Labinot Bytyçi, por njëri nga tre themeluesit e saj është drejtori tashmë i arrestuar, Enver Shabani.
Në letrën për dhënien e tenderit thuhet se ky ishte çmimi më i ultë që është dorëzuar për ta kryer shërbimin e kërkuar nga komuna.
Po ashtu bëhet e ditur se dhënia e kontratës është e përkohshme.
Ndryshe, me 22 gusht 2023, Policia e Kosovës ka arrestuar Enver Shabanin drejtor i Shërbimeve Publike në Suharekë dhe Berat Kabashi zyrtar në drejtorin e shërbimeve publike/menaxher i kontratës. Arrestimi i tyre ka ardhur pas raportimit të Gazetës Insajderi për tenderin për ndërtimin e disa rrugëve në fshatin Mushtisht.
Shabani dhe Kabashi dyshohet se kanë përfituar nga detyra e tyre duke shkelur ligjin e Prokurimit Publik.
“Të pandehurit: Berat Kabashi dhe Enver Shabani prej datës 18.05.2022 deri ma datë 12.12.2022 në Suharekë duke vepruar në cilësi të personave zyrtarë dhe atë Berat Kabashi në cilësinë e menaxherit dhe Enver Shabani në cilësinë e mbikëqyrësit të drejtpërdrejtë duke shfrytëzuar detyrën nuk i përmbushin detyrat zyrtare me qëllim që të përfitojnë çfardo dobie për vete dhe personat e tjerë“, thuhet në dokumentin të cilin e ka parë Insajderi.
Sipas Prokurorisë ata dyshohet se me këto veprime i kanë mundësuar dobi pasurore personit tjetër dhe i shkaktuan dëm buxhetit të Komunës së Suharekës.
Gazeta Insajderi në prill kishte raportuar se në mars të 2023 ishte hapur tenderi për ndërtimin e disa rrugëve në fshatin Mushtisht, ani pse për të njëjtat rrugë ishte lidhur kontrata në vlerë prej 72 mijë eurove vitin e kaluar.
Bëhet fjalë për ndërtimin e rrugëve: Rexhep Velia, Molika , Shaljanët, Tafa, Ilaz Shala, Gentiana, Haxhi Shania, Avdyl Aga, Jetush Shala dhe Kovaqi.
Saktësisht me datën 17 maj 2022, Komuna e Suharekës kishte nënshkruar kontratë në vlerë prej 72 mijë e 213 eurove për ndërtimin e rrugëve të përmendura më sipër.
Kryetari i Suharekës, Bali Muharremaj deklaroi se nuk ishte në dijeni për arrestimin e dy zyrtarëve të tij. Ai u shpreh se si komunë do t’i respektojnë institucionet e Kosovës dhe vendimet e tyre. /Gazeta Insajderi
Lexo edhe: