×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza / Analiza

    Një ministre me mesatare 6.46, rezultate të dobëta në test ndërkombëtar – Çka i dha Kurti arsimit?

    Insajderi
    18 May 2023 - 16:36
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Rezultatet e fundit të nxënësve kosovarë në testin ndërkombëtar për PIRLS 2021, të mbajtur në qershor të 2021-ës janë sinjal drejt asaj se nuk ka pasur përmirësim në fushën e arsimit përgjatë Qeverisë Kurti.  

    Rezultati i Kosovës në PIRLS është 421 pikë në renditje, mesatare kjo dukshëm më e ulët se pikët prej 500 në këtë test ndërkombëtar, shkruan Gazeta Insajderi.

    PIRLS është test  ndërkombëtar i prirjeve në lexim, i cili zhvillohet që nga viti 2001 dhe mbahet çdo 5 vjet.

    Në vitin 2021 për herë të parë ka marrë pjesë edhe Kosova dhe pjesë e testit ishin nxënësit e klasave të katërta.

    Ky rezultat duket se nuk reflekton me atë se çfarë tregonte si duhej punuar në arsim nga Kurti. Ai e ndërlidhte arsimin me çdo fushë tjetër shoqërore. Kryeministri Kurti shkonte më larg, duke thënë se arsyeja kryesore e largimit të të rinjve është arsimi.

    “Orientimi i gabuar socio-ekonomik natyrisht që shkakton edhe këtë lloj krize të madhe për njerëzit në shoqërinë e në vendin tonë. Mirëpo unë këtu dua të theksoj diçka të ndërlidhur e megjithatë pak tjetër. Është hendeku i shkathtësive. Mungesa e lidhjes së ekonomisë me arsimin. Të arsimit me ekonominë. Sa është e rëndësishëm ekonomia, sa është i rëndësishëm arsimi edhe më e rëndësishme është lidhja mes këtyre dyjave. Dhe unë besoj se ky është mbase shkaku kryesor i ikjes së të rinjëve”, deklaronte ai përgjatë një seance në Kuvend më 2019-ën.

    Kritikat e Kurtit për gjendjen në arsim nuk gjenin fundin as gjatë ardhjes së tij në pushtet. Kryeministri shkonte aq larg, sa thoshte se mësimdhënësit po nxjerrin analfabetë funksionalë, të cilët po ikin si punëtorë krahu në Gjermani.

    “Të krijosh ditë pa punë për mësimdhënësit dhe ditë pa mësim për fëmijët është përgjegjësi tejet e madhe. Nuk është veç politike e shoqërore, është historike, sepse pikërisht duke nxjerrë analfabetë funksionalë e duke menduar veç për paga po përfundojnë njerëzit veç për asistencë sociale. Kjo reflektohet automatikisht në zhvillim ekonomik mandej. Kur ti nuk nxjerr kuadro të mira arsimore, atëherë prodhon ose njerëz për asistencë ose punëtorë krahu në Gjermani. Ne duhet ta rregullojmë sistemin arsimor”, thoshte Kurti, teksa kritikonte mësimdhënësit që kërkonin rritje pagash në shtator të vitit të kaluar.

    Çka i dha Kurti arsimit?

    Për fillim, Kurti e vendosi në pozitën e ministres së MASHTI-t Arbërie Nagavcin, së cilës pak më vonë iu publikua mesatarja në studimet e nivelit master. Nagavcit, me mesatare 6.46, iu deshën 10 vite për përfundimin e studimeve pas-universitare.

    Nagavci humbi rastin në Gjykatën Kushtetuese përballë ish-kryetarit të Kamenicës, Qëndron Kastratit, lidhur me reformat në arsim.

    Më pas, në pozitën e zëvendësministrit sa ishte për dy vite, dha dorëheqje Dukagjin Popovci.

    Kurti, në vend të tij, fushën e arsimit ia besoi një aktivisti të kamotshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, Taulant Kelmendit.

    Në programin qeverisës 2021-2025, tek pjesa e arsimit qeveria në krye me Kurtin premton biblioteka të mësimdhënësve dhe banim për ta. Ndërkaq, për ngritje të cilësisë së arsimit u zotua për një model të ri të vlerësimit.

    “Parakusht për rritjen e cilësisë në arsim është edhe mbështetja e mësimdhënësve në zhvillimin e vazhdueshëm profesional të mësimdhënësve. Do të krijojmë bibliotekat e mësimdhënësve duke i pajisur ato me literaturën relevante dhe të kohës. Do të ofrojmë edhe banimin për mësimdhënësit, me kosto të përballueshme. Në bashkëpunim me mësimdhënësit do të sigurojmë një model të vlerësimit dhe shpërblimit të performances”, thuhet në programin qeverisës 2021-2025.

    Në qeverisjen e Kurtit, zotohet edhe për ngritje të besueshmërisë nëpër teste kombëtare.

    Gazeta Insajderi ka kontaktuar Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) për t’i pyetur lidhur me hapat konkretë për përmirësimin e përformancës së nxënësve në testet ndërkombëtare, por deri në momentin e publikimit të artikullit nuk ka marrë përgjigje. /Insajderi.org/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark