Familja Osmani, e përbërë nga Bashkim dhe tre vëllezër, Qazim, Burim dhe Bekim, konsiderohej një nga familjet më të pasura shqiptare në Gjermani. Familja Osmani është nga Gjakova e Kosovës, prej nga u shpërngulën në Hamburg në mesin e viteve 1980.
Në një intervistë për Nacional në vitin 2007, Bashkim Osmani, kishte pohuar se pasurinë e ka bërë duke investuar në prona të paluajtshme në Hamburg dhe më pas në Spanjë. Pas transferimit në Hamburg në vitet 1980, familja rriti ndjeshëm pasurinë që kishin tashmë në Shqipëri, përfshirë lidhjet politike në Gjermani, transmeton Gazeta Insajderi.
Familja e tyre kishte qenë gjithmonë e famshme në Kosovë, edhe para Luftës së Dytë Botërore, ku pas luftës babai i tij ishte politikan.
Osmani kishte deklaruar se në Prishtinë ishin të angazhuar në hoteleri dhe tregti.
“Në Gjermani nuk kishin shkuar me kruajtëse dhëmbësh në gojë se nuk kishim çfarë të hanim në Kosovë. Ne ishim të angazhuar në hoteleri dhe tregti në Kosovë, kishim një nga restorantet më të mëdha në Prishtinë. Ne ishim pronarë të parcelave të mëdha në Kosovë, kishim pjesë pronësore edhe në argjendaritë, nuk mund të ankoheshim. Por cilësia e jetës në Kosovë ishte e ulët, dhe kemi mësuar dy-tri gjuhë të huaja që në moshë të re. Udhëtuam, pamë botën, nuk ishim si shqiptarët e tjerë që mendonin se duhej të bënim dhjetë fëmijë dhe kaq. Kjo nuk është jeta, ne e donim lirinë tonë dhe ju e dini se si dukej Kosova e viteve 1980”, tha Bashkim Osmani në një intervistë të vitit 2007.
Tutje, Osmani kishte thënë se një mik i tij i kishte thënë një herë ‘bli dhe merr me qira, por kurrë mos shis pasuri të paluajtshme dhe nuk do të jesh kurrë i varfër’.
“Ishin vite të mira, unë isha 30 vjeç, isha i ri, kisha para dhe kisha këshilltarë të mirë. Një mik hebre atëherë më tha ‘bli dhe merr me qira, por kurrë mos shis pasuri të paluajtshme dhe nuk do të jesh kurrë i varfër’. Ai mendonte se po i hidhja paratë sepse e shijoja jetën atëherë, nuk kisha fëmijë, nuk mendoja shumë për atë që do të sjellë e nesërmja”, kishte thënë Osmani.
Miliarderi kosovarë kishte filluar të blinte patundshmëri në Hamburg duke e shtrirë veprimtarin e tij deri në Spanjë, Kroaci, Gjermani, Itali dhe Holandë, transmeton Insajderi.
“Meqenëse nuk isha marrë kurrë me gjëra të vogla, vendosa të blija fillimisht të gjithë rrugën në Hamburg. Ishin 15 apo 20 hyrje të shitura nga shteti. Kam marrë një kredi nga një bankë, e cila nuk është problem në Gjermani edhe sot nëse keni një koncept të mirë dhe nëse ata besojnë tek ju. Vetëm me atë investim fitova aq shumë sa nuk më duhet të bëj asgjë për gjithë jetën. Bleva të gjithë rrugën në qendër të Hamburgut, më shumë se 200 apartamente të vjetra që i rimodelova dhe i mora me qira. Kjo blerje arriti në 20 milionë marka gjermane. Unë isha me fat që çmimet e pasurive të paluajtshme u rritën me 15 deri në 20 për qind brenda dy viteve. Atëherë pashë se sa fitimprurës ishte ai biznes. Më pas u rrethova me ekipin e duhur, arkitektë, avokatë, kontraktorë dhe fillova të zgjerohem përtej Gjermanisë”, tha Osmani./Insajderi.org