×
  • Kulturë
  • Show / Kulturë

    Një pikturë e rrëfyer

    Insajderi
    22 August 2023 - 13:51
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Autor: Adil Olluri, shkrimtar

    (Vështrim për romanin “Katedralja pa kryq” i përkthyer dhe i botuar këto ditë në gjuhën italiane. Romani u përkthye nga Iris Gjomemo-Hajdari dhe u botua nga “Besa Muci Editrice”)

                Letërsia shqipe nuk i ka të shpeshtë romanet që pikësynim kanë përshkrimin deri më imtësi të përjetimit të qenies së pushtuar nga pasioni dhe të përballjes së saj me atë që shoqëria e përcakton si kod kulturor, si marrëveshje rreth veprimit dhe mendimit të subjekteve, individëve, në një rreth shoqëror. Por, edhe më të paktë janë ato romane që e sfidojnë, e vënë në krizë diskutimi, këtë kod që mendja racionale provon t’ia atribuojë qenies si fakt determinues. Në këtë rrjedhë, janë tejet të paktë shkrimtarët e letërsisë sonë që marrin penën për t’ua dhënë shqelmin normave dhe për të shtruar pyetje e dilema përtej atyre të zakonshmëve. Zakonshmëria është atribut i qenieve të paguximshme, që kanë dëshirë të hapërojnë vetëm në rrugët e shkelura më parë. Për këtë gjë, Michel Foucault thoshte se “te shumëkush strehohet një dëshirë e tillë për të mos filluar vetë, një dëshirë për t’u rigjendur”. Janë fjalët e eruditit frëng, derisa fliste dhe i jepte derman “rendit të ligjërimeve”.

                Romani “Katedralja pa kryq” i autorit Gëzim Aliu del prej kuadratit të njëtrajtshmërisë së diskursit tonë letrar, duke ia bashkangjitur atij edhe diskursin filozofik, aq të rrallë në prozën shqipe. Mund t’i numërojmë me gishta prozatorët tanë që na shfaqen të veshur hijshëm me petkun filozofik. Përpos shtresës filozofike, si pikëshikim a perspektivë mbi botën imagjinative që e ka krijuar autori, qoftë në planin e observimit të jashtëm apo të brendshëm, në këtë roman e shohim edhe një dimension të meditimit, që e dërgon narracionin e këtij romani drejt një spirtualiteti, që është një lloj aureole, që i jep njëfarë shkëlqimi veprës artistike. Pra, meditimi, që është karakteristikë e diskursit poetik, na del i tjetërfartë në këtë roman.

                “Katedralja pa kryq” e Gëzim Aliut del prej kuadratit të zakonshmërisë tematike, ngaqë nëse në të shumtën e herëve në narracionin tonë letrar meditimi për dashurinë dhe artin, na vjen si njëri ndër motivet, qoftë kryesore apo dytësore të krijimit diegjetik, te romani i sipërshënuar del të jetë boshti fundamental apo kuintesenca e narratives imagjinare. Pra, autori i këtij romani është në grup me të paktët.

                Në këtë roman shohim një strukturë kompozicionale, që përbëhet prej dy boshteve narrative, ku herë kemi rrëfimin e narratorit të identifikueshëm me autorin, herë rrëfimin e piktorit. Po ashtu, e vërejmë një strukturim në katër shtylla narrative e që janë: Diskursi i narratorit/autorit, Shënimet e piktorit, Ditari i shkapërderdhur i piktorit dhe Letrat e Mona Lizës. Diskursi i narratorit e ndjek një vijë të neutralitetit në mes të dy kryeprotagonistëve, meqë nuk përpiqet të ndërhyjë në botën e tyre, duke qëndruar në një pozitë të përshkruesit dhe sqaruesit të ndodhive të tyre. Ai synon ta kuptojë botën e tyre dhe ta rrëfejë rrëfimin e tyre, duke na i dhënë një model të një introspeksioni narrativ. Shënimet dhe ditarin e piktorit i karakterizon ligjërimi meditues, vënia e dilemave dhe shtruarja e pyetjeve të thella me karakter filozofik, estetik e etik. Shënime dhe ditari janë shtylla narrative përmes të cilave sëndërtohet një botë e pseve, që bëhen shenja identifikuese në këtë roman. Ndërsa, letrat e Mona Lizës i karakterizon ngjyresa emotive, edhe si diskurs, edhe si botëperceptim i personazhit që i shkruan. Mona Liza është një grua mjaft komplekse, të cilën e ringjallë, i jep jetë, pasioni, por e ngulfat rregulli determinues. Ajo ecë si në teh të shpatës në mes të asaj që do dhe të asaj që duhet bërë.  Këto katër shtyllat narrative e formësojnë kompozimin mjaft tërheqës në këtë roman, të cilat na dalin të ndryshme edhe si format shkrimi gjatë inkorporimit të tyre në tekst, meqenëse për t’u dalluar ato shënohen edhe me fondin e ndryshëm të shkronjave (Ditari i piktorit jepet në formatin italik), si dhe me vënien e kllapave dhe të thonjëzave.    

    “Katedralja pa kryq” është një roman për dashurinë dhe artin, për pasionin dhe ndjesinë.  Është një roman për meditimin dhe vëzhgimin e hollësishëm të thellësisë së individit, të pushtuar nga e bukura, si në një krijim imagjinativ, po ashtu edhe nga e bukura në përditshmërinë efemere. Është një roman që i mpreh shigjetat kundrejt diktatit të racionales, që mund t’i ofrojë qenies rehati, por jo edhe ngrohtësi shpirtërore.

    Romani “Katedralja pa kryq”, që si brum ideo-tematik, rrjedh nga tregimi “Mona Liza” që gjendet te vepra paraprake e Gëzim Aliut, “Libri i fundit”, e ndjek dhe e zgjeron dimensionin e burimit të tij, prej të cilit është prodhuar, qoftë në aspektin stilistik, qoftë në atë tematik. Stili i të rrëfyerit në këtë roman shfaqet me tablo të përshkrimeve të detajizuara deri në imtësi, duke e bërë autorin e tij një piktor të rrëfimit, që përpos që na tregon të ndodhurën, mundohet që të na i paraqes atë edhe të shkrirë në pamje të vijëzuara, sikurse një pikturë. Andaj, jo rastësisht që protagonistja e tij është emërtuar si Mona Liza, ndërsa protagonisti tjetër është vetë piktor. 

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark