Ardit Krymi dhe Valon Ahmedi e kanë nisur vitin 2023 duke fituar një tjetër trofe në radhët e klubit bjellorus të Shakhtor Soligorsk. Mesfushorët ishin të dy titullarë në finalen e Superkupës që kjo skuadër fitoi ndaj FC Gomel.
Ndeshja e sotme ishte e luftuar mes dy skuadrave po në fund ishte përsëri Shakhtor Soligorsk që fitoi me rezultatin 1-0, falë një goli në pjesën e parë të ndeshjes nga Plaka.
Krymi luajti deri në fund të ndeshjes me skuadrën e tij që rezistoi dhe mori fitoren minimale, ndërsa Ahmedi u largua nga fusha në minutën e 66 të duelit.
Kështu, të dy lojtarët shqiptarë festuan me një tjetër trofe, pas fitores së kampionatit në Bjellorusi në edicionin e kaluar.
Të dy janë pjesë thelbësore e planeve të këtij klubi dhe do të vazhdojnë të jenë titullarë për skuadrën e cila bëhet gati që të fillojë kampionatin e ri pas pak ditësh.