×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    Një vit dhe asgjë, aplikimin e Kosovës në KiE që ‘e mbuloi pluhuri’

    Insajderi
    02 February 2023 - 10:08
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Janë bërë pothuajse një vit që kur Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, dorëzoi aplikimin për anëtarësim në Këshillin e Evropës (KiE) në Strasburg, shkruan Insajderi.

    Qysh më 12 maj, Donika Gërvalla, proklamonte “hapje të një kapitulli të ri për Kosovën” derisa shprehej optimiste se qysh atë ditë “fillon procedura e shqyrtimit të kërkesës tonë”.

    Ky aplikim kishte ardhur me t’u përjashtuar Federata Ruse nga kjo organizatë pas pushtimit të shkallës së gjerë në Ukrainë, ngjarje kjo e cila u pa si mundësi që Kosova të ngjitej në këtë organizatë paradhomë të Bashkimit Evropian.

    Megjithatë, një vite më vonë, gjendja është jo vetëm në vendnumëro, por edhe në numërim mbrapa.

    Ky aplikim s’po arrin as të futet në agjendë të ditës, ku as në takimin e djeshëm të Këshillit të Ministrave nuk u shqyrtua.

    Pyetur nga Insajderi se pse nuk është futur në agjendë të ditës as të mërkurën, Zyrtari për Media në KiE, Dushan Vojnoviç, e ka një përgjigje të zbehtë.

    “Aplikimi i Kosovës në KiE është ende duke u konsideruar”, tha ai në një përgjigje për Insajderi.

    “Siç e dini, aplikimi është ende duke u konsideruar nga Këshill i Ministrave të Këshillit të Evropës, në pajtim me rregullat relevante”, na tha Dushan Vojnoviç.

    Zyrtari për Media, megjithatë, nuk përgjigjet më tej mbi arsyet pse dhe si, ndërsa shprehet se “puna dhe diskutimet e Këshillit të Ministrave janë konfidenciale”.

    Para mëse dy dite, ishte agjencioni evropiane i lajmeve “Euronews” në gjuhën serbe që doli me një lajm “ekskluziv” se futja në rend dite i aplikimi të Kosovës në Këshillin e Evropës është kushtëzuar nga vetë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

    Kjo, siç raportuan ata nga burimet diplomatike të tyre, në dritën e moszbatimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe nga ana e Kosovës.

    “Ministritë e Jashtme të disa vendeve evropiane, që janë edhe anëtare të Këshillit të Evropës, kanë pranuar notë diplomatike nga ambasadat e ShBA’së ku thuhet se Uashingtoni konsideron se çështja e anëtarësimit të Kosovës në KiE të mos futet në agjendë e punës së Këshillit të Ministrave në Këshill të Evropës”, shkroi Euronews.

    Kjo, sipas tyre, kishte qenë kërkesë e ShBA’së, me të cilën ishin harmonizuar edhe Gjermania, Franca dhe Italia, që aplikacioni i Kosovës në KiE të mos fute në rend të ditës “deri kur Kosova të adoptojë një pozicion më konstruktiv rreth Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, e cila do të shtronte rrugën për një marrëveshje bazë mes Beogradit dhe Prishtinës”.

    Departamenti amerikan i Shtetit pyetur specifikisht për këtë gjë, as nuk e pohoi e as nuk mohoi, derisa tha se “nuk komenton shkëmbimet e supozuara diplomatike”.

    Por çfarë komentoi, ishte ajo për Asociaiconin. “Qëndrimi i ShBA’së për Asociacionin është i mirënjohur”, thanë ata në një përgjigje për Zërin e Amerikës.

    Dilema për Gjermaninë

    Insajderi më 19 janar ka kontaktuar me Përfaqësinë Permanente gjermane në Këshill të Evropës, për të konfirmuar apo përgënjeshtruar raportimet e mediave serbe se Gjermania e kishte kushtëzuar aplikimin e Kosovës në KiE me themelimin e Asociacionit.

    Ndërkaq, Euronews, siç u tha më sipër, shkruante se Gjermania i është bashkuar kërkesës amerikane.

    Ambasada gjermane në Prishtinë, ndonëse ditëve të fundit nuk i është përgjigjur Insajderit, më 19 janar e kishte përgënjeshtruar atë se Gjermania ka vënë një kushtëzim të tillë.

    Një gjë e tillë, nuk qëndron, na thanë gjermanët para dy javësh.

    “Nuk jemi në dijeni që Gjermani paska vendosur që themelimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe të jetë kusht për anëtarësim në Këshill të Evropës”, tha Sebastian Leuschner, zëdhënës i ambasadës gjermane në Prishtinë, në një përgjigje për Insajderin.

    Gjermania e mbështet “në mënyrë të paekuivok” anëtarësimin e Kosovës në KiE, tha Leuschner, duke iu referuar deklarimit të kryediplomates gjermane, Analena Barebock në maj të 2022’ës në Turin.

    “Siç e ka thënë publikisht Ministrja e Jashtme e Gjermanisë në fund të takimit të 132’të të Komisionit të Ministrave më 22 maj 2022, që Gjermania e mbështetë në mënyrë të pa ekuivok aplikimin e Kosovës për tu bërë shtet anëtar i Këshillit të Evropës”, tha zëdhënësi.

    Megjithëkëtë, Lechner, ndonëse thotë se Asociacioni nuk është kushtëzim për anëtarësim në KiE, ajo është marrëveshje ndërkombëtare e cila duhet zbatuar.

    “Implementimi i një marrëveshje ndërkombëtare është çështje e sundimit të ligjit dhe rrugë para në Dialog”, tha ai.

    “Siç ka thënë ambasadori Rohde: themelimi i Asociacionit është dakordësim i palëve në kuadër të dialogut në vitet 2013/2015”.

    Prandaj, siç thotë ai, “tash duhet të zbatohet”.

    Por, çfarë pretenduan mediat serbe, pretendim ky të cilin mediat serbe e raportuan gjerësisht si fakt të kryer?

    “Gjermania ua bëri të ditur në terma jo të paqartë se nëse nuk e formojnë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, atëherë mund t’i thonë lamtumirë anëtarësimit në KiE”, pretenduan ata.

    Kujtojmë se Kosova ka aplikuar në Këshill të Evropës në maj të vitit të kaluar po ka dështuar vazhdimisht që të futet në agjenda të ditës.

    Kjo në Kosovë është lexuar për disfatë të politikës së jashtme dhe për moskoordinim me aleatët ndërkombëtar, ndonëse Kosova posedon dy-të-tretat e njohjeve, nëse jo votat, të shteteve anëtare të KiE-së.

    Aplikimi në KiE u bë pas përjashtimit të Federatës Ruse nga kjo organizatë në dritën e agresionit të paligjshëm rus.

    Serbia e konsideron këtë aplikim të paligjshëm në bazë të pretendimeve se në KiE mund të anëtarësohet vetëm një shtet i cili është anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

    Ata madje aplikimin e Kosovës në KiE e morën për shkelje të moratoriumit njëvjeçar të ndërmarrë në kuadër të Marrëveshje së Uashingtonit, ku Kosova do të pezullonte aplikimin e saj në organizata ndërkombëtare derisa Serbia të ndalonte fushatën ndërkombëtare për çnjohje të Kosovës./Insajderi/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark