Insajderi
Analiza

Një vit pa certifikatë vdekjeje – si zvarritjet e IML-së bllokuan një familje në pronë, trashëgimi dhe biznes

Insajderi
17 August 2026 - 11:44
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Një vit pa certifikatë vdekjeje – si zvarritjet e IML-së bllokuan një familje në pronë, trashëgimi dhe biznes
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Më 31 korrik 2025, N.M ndërroi jetë në fshatin Jezerc të Ferizajt. Në momentin e vdekjes ishte vetëm. Të nesërmen, më 1 gusht 2025, Prokuroria Themelore në Ferizaj lëshoi urdhëresë për Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për kryerjen e autopsisë, me qëllim përcaktimin e shkakut, kohës dhe rrethanave të vdekjes.

Autopsia u krye, por procedura nuk u përmbyll. IML-ja lëshoi vetëm një certifikatë provizore (dokument i përkohshëm)) me shënimin “Pas analizave laboratorike”, ndërsa raporti përfundimtar nuk është dorëzuar.

Për shkak të mungesës së raportit përfundimtar, familja nuk ka mundur të sigurojë certifikatën e vdekjes.

Komuna e Ferizajt, përmes Zyrës së Gjendjes Civile, ka konfirmuar se certifikata e vdekjes nuk mund të lëshohet pa raportin përfundimtar të IML-së, në përputhje me dispozitat e Ligjit për Gjendjen Civile.

Në përgjigjen e saj të korrikut 2026, Prokuroria Themelore në Ferizaj ka konfirmuar se urdhëresa për autopsinë është lëshuar më 1 gusht 2025 dhe se institucioni vazhdon të jetë në pritje të raportit nga IML-ja.

Për informata të mëtejshme, familja është udhëzuar t’i drejtohet Ministrisë së Drejtësisë dhe Institutit të Mjekësisë Ligjore.

Mungesa e certifikatës së vdekjes ka lënë pezull procedurat e trashëgimisë dhe administrimin e pronës së të ndjerit. Sipas familjes, janë bllokuar gjithashtu procedurat që lidhen me llogaritë bankare dhe vazhdimin e veprimtarisë së biznesit familjar në Mal të Zi, përfshirë hotelin.

Në përpjekje për ta përshpejtuar procesin, familja i është drejtuar edhe u.d. të drejtorit të IML-së, Agron Thaqi, duke ofruar që, nëse dërgimi i mostrave apo analizave laboratorike jashtë vendit kërkon mjete financiare që institucioni nuk i ka në dispozicion, shpenzimet t’i mbulojë vetë.

Pavarësisht kësaj, deri në njëvjetorin e vdekjes, raporti përfundimtar nuk është dorëzuar.

Rasti i N.M është paraqitur në një kohë kur Gazeta Insajderi kishte pranuar edhe ankesa të tjera nga familjarë të personave të vdekur për vonesa në marrjen e raporteve përfundimtare të autopsisë.

Më 8 korrik, Insajderi iu drejtua Institutit të Mjekësisë Ligjore për informata lidhur me numrin e rasteve të vdekjeve të dyshimta që ende nuk kishin marrë epilog përfundimtar, arsyet e zvarritjeve dhe kohën e nevojshme për përfundimin e analizave toksikologjike dhe analizave të tjera specifike.

Në kërkesën për informata, Insajderi kërkoi të dhëna edhe për rastet kur mostrat dërgohen jashtë vendit, laboratorët ku kryhen analizat, kostot e tyre dhe ekspertët që i kryejnë. Po ashtu, u kërkua sqarim lidhur me pretendimet për kryerjen e analizave në laboratorë privatë të lidhur me pjesëtarë të stafit të IML-së, si dhe për procesin e akreditimit të Institutit përmes projektit IPA.

IML-ja nuk iu përgjigj kësaj kërkese.

Pas mungesës së përgjigjes, Insajderi iu drejtua Agjencisë për Informim dhe Privatësi.

Agjencia ka konfirmuar pranimin e ankesës dhe procedura për trajtimin e saj është në vazhdim.

Në rastin konkret të të ndjerit, Insajderi ka kërkuar sërish përgjigje nga u.d. i drejtorit të IML-së, Agron Thaqi, afro dy javë më parë.

Kërkesa për përgjigje lidhet me statusin e autopsisë, analizave laboratorike dhe raportit përfundimtar.

Deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi, Thaqi nuk ka kthyer përgjigje.

Një vit pas vdekjes së N.M, raporti përfundimtar i autopsisë mbetet i papërfunduar, ndërsa familja vazhdon të jetë pa certifikatën e vdekjes dhe me procedurat e trashëgimisë, pronës dhe aktivitetit ekonomik të mbetura pezull.

/Insajderi


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark