×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    Njeriu i Kurtit në krye të KEK’ut bën biznes me tezakun e Besim Beqajt të Pronto’s

    Insajderi
    12 January 2023 - 21:58
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Kryeshefi i KEK-ut, Nagip Krasniqi e ka shoqëruar nga Zagrebi në Prishtinë, me veturë zyrtare, Zek Alijën, një tregtar të energjisë elektrike. Drejtori i KEK-ut e ka pranuar këtë para hetuesve të Krimeve Ekonomike të Policisë. Paparaci, ka mësuar se Zek Alija është djali i tezës së Besim Beqajt, ish-ministrit të Qeverisë Thaçi. 

    Tregtari i energjisë elektrike Zek Alija, me të cilin kryeshefi i Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqi kishte udhëtuar nga Kroacia për në Kosovë në muajin mars të vitit 2022, është familjar i Besim Beqajt, ish-ministrit të Partisë Demokratike të Kosovës.

    Ky medium, raportoi të mërkurën se Hetuesit e Krimeve Ekonomike të Policisë së Kosovës, në kuadër të hetimeve ndaj Ambasadorit Martin Berishaj, në shtator të vitit të kaluar e kanë intervistuar në cilësinë e dëshmitarit  Nagip Krasniqin.

    Raporti përshkruan një vizitë të realizuar në Kroaci të Kryeshefit Ekzekutiv të KEK-ut dhe kthimin e tij nga Kroacia me veturë zyrtare në shoqërinë e Zek Alijës, një tregtari të energjisë elektrike, përfaqësues i ndërmarrjes publike kroate “Hrvatska elektroprivreda” (HEP Group).

    Para hetuesve policorë, Krasniqi ka mohuar të jetë takuar me Ambasadorin Martin Berishaj gjatë vizitës së tij në Kroaci. Ka thënë se atje kishte udhëtuar në një vizitë zyrtare. Ka thënë se ka realizuar një vizitë në kompaninë HEP në Kroaci. Në këtë kompani, ai ka thënë se punon Zek Alija, biznesmeni me të cilin kishte udhëtuar nga Zagrebi në Prishtinë.

    Policia e Kosovës, përmes Departamentit të Kufirit dhe sistemit SMK, ka verifikuar se më 20 mars të vitit 2022, Nagip Krasniqi dhe Zek Alija kishin hyrë në Kosovë përmes kufirit nga Maqedonia e Veriut me veturën zyrtare të KEK-ut.

    Nagip Krasniqi, i cili menaxhon me KEK-un tash e gati dy vjet, është një ish-funksionar i Lëvizjes Vetëvendosje. Ai kishte drejtuar Komitetin për Energji në LVV, para se të emërohej kryeshef në ndërmarrjen publike.

    Kurse, Zek Alija është një tregtar i energjisë elektrike dhe konsulent me lidhje të fuqishme në Kroaci.

    Bazuar në të dhënat publike, Zek Alija është drejtor i “Inspekt RGH Kosovo”, një kompanie të regjistruar në Prishtinë që merret me aktivitetet e këshillimit dhe testimeve laboratorike. Po ashtu, ai është përfaqësues i “Hrvatska elektroprivreda” (HEP Group), ndërmarrjes energjetike në pronësi shtetërore në Kroaci.

    Sipas të dhënave publike në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve (ARBK), Alija është drejtor i “HEP Energjia Sh.P.K”, përfaqësisë së HEP Group në Kosovë.

    Paparaci, ka mësuar se Zek Alija është djali i tezës së Besim Beqajt, ish-ministrit të Integrimit Evropian në Qeverinë Thaçi 1 dhe ish-ministrit të Zhvillimit Ekonomik në Qeverinë Thaçi 2.

    Afaristi Alija është me origjinë nga fshati Cërmjan i Gjakovës. Ai ka qenë pjesë e njësisë elite të Ushtrisë së Kroacisë gjatë luftës në Kroaci.

    Ndërkaq, Besim Beqaj, përpos pozitave në ministritë e Integrimit Evropian dhe Zhvillimit Ekonomik, ishte edhe ministër i Financave përgjatë viteve 2013-2014.

    Nga fundi i 2017-s deri në qershor të 2019-s, ai kishte ushtruar funksionin e ministrit të Invoacionit dhe Ndërmarrësisë.

    Më 8 nëntor të vitit të kaluar, Gjykata Themelore në Prishtinë mori vendim që ta lirojë Beqajn nga një akuzë që rëndonte ndaj tij dhe tre ministrave të tjerë të Qeverisë Thaçi 2. Ai akuzohej për privatizimin e katër hidrocentraleve.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark