×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza / Analiza

    Njeriu i Sorosit, takime të ngrohta me Vuçiqin- Kush është Zeljko Jovanoviq, të cilin e priti Kurti në zyrë?

    Insajderi
    08 February 2024 - 16:08
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, zhvilloi një takim përpara dy ditësh me Zeljko Jovanoviq, drejtorin e organizatës “Open Society Roma” për Evropë. Jovanoviq avokon për të drejtat e romëve në Kosovë. Por, kush është ai dhe kush qëndron pas Jovanoviqit?

    Gazeta Insajderi

    Jovanoviq është drejtor i organizatës që funksion në kuadër të ‘Fondacionit të Shoqërisë së Hapur’, që është në emër të George Soros, shkruan Gazeta Insajderi.

    Kjo thuhet edhe në një njoftim të faqes zyrtare të fondacionit të Sorosit.

    Fondacioni i Shoqërisë së Hapur ka qenë mbështetësi kryesor i romëve të Evropës – pakicës më të madhe etnike të kontinentit – që nga fillimi i viteve 90′, kur kauza e tyre u përqafua për herë të parë nga themeluesi i Shoqërisë së Hapur, George Soros, thuhet në një nga njoftimet zyrtare të Fondacionit të Shoqërisë së Hapur, që është në emër të Sorosit.

    Afërsia e Jovanoviqit me Sorosin dëshmohet edhe nëpër rrjete sociale. Ky i pari ia dedikon një shkrim të veçantë George Sorosit për ditëlindjen e tij, më 12 gusht të 2020-ës.

    “Gëzuar ditëlindjen, George Soros! Askush nuk i afrohet angazhimit të tij dhe askush nuk i ka dhënë më shumë popullit tonë rom..”, thotë ndër të tjera ai.

    Në një podcast, Jovanoviq së fundmi ka ngritur mjaft lart figurën e Geroge Sorosit, duke radhitur arsyet pse ai mbështet komunitetin rom në Evropë.

    Jovanoviq ka pasur takime edhe me Vuçiqin, herë veçmas e herë me djalin e George Soros, Aleksandër Soros. Të dytë rezultojnë t’i kenë asistuar Vuçiqit në fushatën e tij për avokimin e kulturës së komunitetit rom. Përpara dy vitesh, Soros dhe Jovanoviq ishin prezentë në hapjen e Institutit Evropian të Romëve për Artet dhe Kulturën (ERIAC).

    “Presidenti Vuçiq ka vendosur një standard të ri për Ballkanin Perëndimor—dhe Evropën—duke hapur degën e parë të ERIAC dhe duke ndihmuar Fondin e Arsimit të Romëve të zhvendoset në Beograd. Shpresoj që liderët e tjerë të rajonit dhe të Evropës ta ndjekin të njëjtin shembull. Babai im George Soros dhe unë kemi kërkuar të avancojmë arsimin, kulturën, udhëheqjen rome dhe sipërmarrjen ekonomike dhe jam mirënjohës që sot kemi forcuar shumë përpjekjet e tyre”, citohej të ketë thënë Aleksandër Sroos, duke ngritur lart Vuçiqin.

    Çka diskutoi Jovanoviq në takimin me Kurtin?

    Dy ditë më parë, Zyra e Kryeministrit njoftoi për takimin e Kurtit me Jovanoviqin në objektin e Qeverisë. Sipas njoftimit, në takim u diskutua për avancimin e komunitetit rom dhe përfshirjen në regjistrimin e popullsisë.

    “Në kuadër të diskutimit, janë theksuar masat e nevojshme edhe në kuadër të Planit të Rritjes që stimulojnë punësimin, themelimin e bizneseve mikro, të vogla e të mesme si dhe trajnimet profesionale të këtij komuniteti në Republikën e Kosovës”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

    “Në fund u theksua rëndësia e pjesëmarrjes së komunitetit rom në Regjistrimin e Popullsisë që fillon në prill, proces ky thelbësor për planifikimin e duhur të politikave për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë”.

    Në anën tjetër, Jovanoviq tha se pati mirëpritje të ngrohtë dhe bisedë të rëndësishme me Kurtin.

    “Faleminderit për mirëseardhjen e ngrohtë dhe këtë bisedë të rëndësishme – me shpresë, një nga shumë të tjera. Së bashku, ne jemi të përkushtuar të sjellim talentin dhe forcën e romëve në zemrën e ekonomive evropiane”, thuhet në një nga postimet e tij në rrjetet sociale. /Insajderi.org/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark