×
  • Sport
  • Sport / Insporti

    Nuk ka fitues në derbi në 100 minuta, mbyllet baras dhe me një karton të kuq

    Insajderi
    10 March 2022 - 15:12
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Ka përfunduar derbi ndërmjet Dritës dhe Gjilanit me rezultatin baras 1:1, shkruan Insporti.com.

    Për një qind minuta sa u zhvilluan, të dy skuadrat nuk arritën të shënojnë golin e fitores, duke i ndihmuar në një mënyrë rivalit të tyre për titull, Ballkanit që të mërkurën pësoi humbje por mban pozitën e liderit.

    Golin e parë të ndeshjes e shënoi skuadra e trajnerit Ismet Munishi.

    Sulmuesi Shend Kelmendi me shumë zgjuarsi fitoi duelin me dy mbrojtësit e Dritës dhe më pasi mposhti edhe portierin Faton Maloku.

    Kelmendi shënoi në minutën e 20-të.

    Në pjesën e dytë, ndryshoi forca dominuese në ngjyrën e kaltër, pasi skuadra e trajnerit Ardijan Nuhiu ishte më e mirë, duke krijuar raste të shumta për gol.

    Këtë edhe ia arriti në minutën e 54-të.

    Golin e barazimit e ka shënuar mbrojtësi i majtë i Dritës, Ilir Blakçori pas një dalje jo mirë të menduar nga portieri Enea Koliçi.

    Ai u asistua nga Ardian Cuculi.

    Deri në fund të ndeshjes, nuk kishte ndonjë rast të pastër për gol.

    Në kohën shtesë, gjyqtari kryesor i ndeshjes, Dardan Çaka, ndëshkoi me kartonë të kuq mbrojtësin e Dritës, Ardian Cuculin.

    Ndëshkimi me kartonin e kuq erdhi pas ri-shikimit në sistem VAR nga gjyqtari Çaka, pasi Cuculi luajti me dorë duke penguar një aksion të mirë të Gjilanit për gol.

    Pas 24 xhirove të zhvilluara, Gjilani renditet në pozitën e dytë me 47 pikë, një më pak se sa Ballkani që ka 48 në pozitën e parë.

    Drita me këtë pikë, tashmë ka grumbulluar 42 pikë dhe renditet në pozitën e tretë. /Insporti.com/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark