Këtë e ka deklaruar komisari evropian për çështje ekonomike Pierre Moscovici.
“Dëshiroj dialog, por në fund të fundit mund të zbatohen sanksionet nëse nuk do të jemi në gjendje të arrijmë marrëveshje”, i ka thënë Moscovici gazetarëve në margjinat e takimit të ministrave të financave të BE në Bruksel, transmeton agjencia Reuters.
Ai ka insistuar se ende asnjë marrëveshje nuk është arritur, sepse Italia edhe më tutje ka në dispozicion një javë ta ndryshojë planin e saj buxhetor para skadimit të afatit më 13 nëntor, por në mënyrë të qartë ka bërë me dije se me çfarë pasoja do të ballafaqohet Roma nëse nuk i përmbahet rregullave të BE.
“Më 13 nëntor presim një përgjigje të fuqishme dhe precize të qeverisë italiane”, ka thënë Moscovici.
Komisioni Evropian muajin e kaluar ka hedhur poshtë propozimin italian për buxhetin, me arsyetim se po i shkelë rregullat fiskale të BE dhe se mund të kontribuojë në rritjen e mëtutjeshme të borxhit publik të Italisë, i cili për momentin e tejkalon 130 për qind të GDP-së.
Ministri italian i financave Giovanni Tria ka përsëritur të hënën se plani buxhetor i qeverisë italiane nuk do të ndryshojë dhe se deficiti buxhetor i planifikuar për vitin e ardhshëm nuk do të sjellë deri te rritja e borxhit publik./Insajderi.com.