×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    “Nuk kemi asnjë informacion”, Ujësjellësi Gjakova pohojnë se nuk e dinë se ku e kanë drejtorin

    Insajderi
    01 March 2024 - 16:23
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Emri i Kryeshefit të KRU “Gjakova”, Hasan Krasniqit u lakua mjaft në media gjatë ditës së sotme.

    Kjo pasi u raportua se i njëjti u arrestua në Bullgari me datë 19 të muajit të kaluar.

    I njëjti thuhet se u arrestua në bazë të një urdhër-arresti ndërkombëtar i lëshuar ndaj tij nga Policia italiane për dyshimet për trafikimin me qenie njerëzore.

    Gazeta Insajderi ka kontaktuar me zëdhënësen për media Dafina Syla por e njëjta tha se nuk posedojnë asnjë informacion zyrtar se ku gjendet Krasniqi.

    “Nuk kemi asnjë informacion zyrtar për medie”, tha Krasniqi për Insajderin.

    Ndërkaq, të kontaktuara nga Insajderi ishin edhe sekretarja e KRU “Gjakova”, Saranda Baruti si dhe asistentja administrative, por të njëjtat nuk u përgjigjën.

    Insajderi mëson se Krasniqi ani pse u arrestua me datë 19, në Bullgari kishte shkuar disa ditë më herët me familjen e tij për pushime.

    Çka u raportua për kryeshefin e KRU “Gjakova” sot?

    Kryeshefi i KRU “Gjakova”, Hasan Krasniqi, është arrestuar në Bullgari, në bazë të një urdhër-arresti ndërkombëtar të lëshuar ndaj tij nga Policia italiane për dyshimet për trafikimin me qenie njerëzore.

    Arrestimi i Krasniqit ka ndodhur qysh me 19 shkurt 2024. Ai u kap nga autoritetet bullgare me tu futur në Bullgari, derisa me familje po udhëtonte për pushime. Kjo pasi, ish-kandidati i LVV’së për asamblenë Komunale të Gjakovës rezultoi se kërkohet ndërkombëtarisht nga Italia për trafikimin e njerëzve.

    Atij, një gjykatë e qarkut bullgare, me 22 shkurt 2024, i ka caktuar masën e paraburgimit, deri në vendosjen rreth kërkesës së autoriteteve italiane për ekstradimin e tij në Itali.

    Dyshimet janë se Krasniqi, që ka në pronësi edhe një kompani transporti udhëtarësh me autobus nga Gjakova drejt vendeve të Evropës, dyshohet se përmes saj ka kontrabanduar njerëz me dokumente të falsifikuara, raporton me burime gazeta online Reporteri.net.

    Ministria e Jashtme e Kosovës dhe autoritet tjera të sigurisë nuk kanë kthyer përgjigje për konfirmimin e rastit

    Hasan Krasniqi, tre muaj pasi si kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje për asamblist në Komunën e Gjakovës kishte dështuar të marrë votat e mjaftueshme për t’u zgjedhur asamblist, në janar të 2022’ës ishte emëruar nga Qeveria e Kosovës kryeshef në Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit “Gjakova”.

    Me ligjin për Ndërmarrjet Publike parashihet që zyrtarët e lartë të ndërmarrjeve publike të jenë të pavarur, pra të mos kenë angazhime politike në 36 muajt e fundit.

    Megjithatë, në vitin 2014 deri në 2017, Krasniqi kishte qenë për një mandat brenda Asamblesë në Gjakovë nga radhët e partisë Alternativa – partia e shefes së grupit parlamentar të LVV’së, Mimoza Kusari-Lila. Por, sikurse në vitin 2021 me LVV, edhe në vitin 2017 me Alternativen ai kishte dështuar të rizgjidhej asambleist.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark