Insajderi
Lajme

“Nuk kishim kushte për ta shpëtuar ndryshe” -Time Kadrijaj rrëfen rastin e rëndë nga fronti i luftës

Insajderi
21 October 2026 - 19:12
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
“Nuk kishim kushte për ta shpëtuar ndryshe” -Time Kadrijaj rrëfen rastin e rëndë nga fronti i luftës
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Deputetja e Aleancës, Time Kadrijaj, ka ndarë një nga rrëfimet më të vështira nga koha kur shërbente si mjeke në vijën e parë të frontit gjatë luftës në Kosovë, duke kujtuar kushtet e rënda në të cilat punonin ekipet mjekësore dhe mungesën e mjeteve bazike për trajtimin e ushtarëve të plagosur.

E ftuar në emisionin “DPT te Fidani”, Kadrijaj ka treguar për vështirësitë e mëdha me të cilat përballeshin mjekët, mungesën e barnave dhe pamundësinë për t’u ofruar të plagosurve trajtimin e nevojshëm.

Ajo ka rrëfyer një rast veçanërisht të rëndë, kur një ushtari, i cili sot është invalid i luftës, iu desh të amputohej dora për shkak të gjakderdhjes së madhe dhe mungesës së kushteve të përshtatshme mjekësore.

“Një që gjithmonë më bie me e përmend ka qenë me sharrë druri, që iu ka këputë dora një tash invalidi të luftës. Për shkak të gjakderdhjes së madhe, është dashur me ia këputë dorën, sepse nuk kishim kushte. Ekipi mjekësor është dashur me zgjedhë me ia këputë dorën për me ia shpëtu jetën”, ka rrëfyer Kadrijaj.

Sipas saj, për shkak të mungesës së pajisjeve të përshtatshme mjekësore, ekipi u detyrua të improvizonte një sharrë druri për të kryer ndërhyrjen. Ajo ka treguar se sharra ishte dezinfektuar në flakë, me qëllim të zvogëlimit të rrezikut të infeksionit te i plagosuri.

“Është dashur me u improvizu një sharrë druri, e cila është dezinfektuar në flakë, për shkak të mikrobeve, në mënyrë që i plagosuri të mos merrte infeksion”, ka thënë ajo.

Kadrijaj ka bërë të ditur gjithashtu se gjatë këtij intervenimi nuk kishte as anestezion, duke dëshmuar edhe një herë kushtet tejet të rënda në të cilat detyroheshin të punonin ekipet mjekësore gjatë luftës në Kosovë.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark