Insajderi
Lajme

“Nuk ndihem i rrezikuar nga djali”- Detaje nga seanca ndaj të miturit që sulmoi babain, avokati tregon pse e pranuan masën e prokurorisë

Insajderi
03 July 2026 - 15:05
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
“Nuk ndihem i rrezikuar nga djali”- Detaje nga seanca ndaj të miturit që sulmoi babain, avokati  tregon pse e pranuan masën e prokurorisë
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Gjykata Themelore në Ferizaj, Departamenti për të Mitur, ka zhvilluar seancën e shqyrtimit gjyqësor ndaj të miturit P.G., i cili ngarkohet me disa vepra të rënda penale, përfshirë sulmin, kanosjen, lëndimin e lehtë trupor si dhe mbajtjen në pronësi ose posedim të paautorizuar të armëve.

Insajderi ka siguruar procesverbalin e kësaj seance të mbyllur për publikun, ku prokuroria ka paraqitur propozimin për shqiptimin e masës edukative – dërgimin e të miturit në Institutin për Kujdes të Posaçëm Shëndetësor.

Sipas dokumenteve, i mituri P.G. ka pranuar fajësinë dhe ka shprehur pendesë të thellë para trupit gjykues. Ndërkaq, si i dëmtuar në këtë rast figuron prindi i tij, R. Gj, i cili ka deklaruar se nuk ndihet i rrezikuar nga i biri dhe ka kërkuar që ai të lihet i lirë.

Mbrojtësi i të miturit i caktuar sipas detyrës zyrtare, avokati Heroit Xhemaili, ka thënë se pas konsultimeve të mjaftueshme, klienti i tij e ka pranuar përgjegjësinë penale në mënyrë plotësisht vullnetare.

“Pas konsultimeve të mjaftueshme me të mbrojturin tim dhe sqarimit të përfitimeve ligjore, i njëjti ka bërë pranimin e përgjegjësisë në mënyrë vullnetare duke shprehur keqardhje të thellë andaj propozimi për shqiptimin e masës edukative dërgimi në institucionin për kujdes të posaçëm shëndetësor i paraparë me KDM nuk e kundërshtojmë,” thuhet në dokumentin që e ka parë Insajderi.

Avokati Xhemaili po ashtu i ka propozuar gjykatës që masat paraprake, si ajo e paraburgimit, të ndërpriten pasi që edhe prokuroria nuk ka kërkuar vazhdimin e tyre.

I mituri P.G., në fjalën e tij përfundimtare, ka mbështetur deklaratën e avokatit të tij duke shtuar: “Më vjen keq dhe jam i penduar, tjetër nuk kam se çka të deklaroj më shumë. Premtoj që në të ardhmen nuk do të përsëritet asnjëherë vepra penale.”

Gjyqtari për të mitur, Shabi Idrizi, ka konstatuar se pranimi i përgjegjësisë është bërë në mënyrë të ligjshme dhe vullnetare, ndërsa ka marrë aktvendim që komunikimi i vendimit përfundimtar për këtë çështje të bëhet më datë 08.07.2026 në ora 15:00.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark