Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMShCK) ka shpallur të jashtëligjshëm vendimin e ish-ministrit të Kulturës, Hajrulla Çekut, ku gjatë kohës sa ishte qeveria në detyrë e kishte vendosur Bekim Aliun ushtrues detyre të drejtorit të Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës (ASHAK). Aliu ka thënë se këtë vendim do ta apelojë në gjykatë.
Punonjës të ASHAK’së në kushte anonimiteti janë deklaruar fjalëpërfjalshëm për Gazetën Insajderi se Aliu “nuk po e lëshon zyrën”, edhe pse që 13 ditë KPMShCK ka marrë vendim që e shpall të jashtëligjshëm vendimin për emërimin e tij.
Gazeta Insajderi ka arritur ta sigurojë vendimin e KPMShCK’së, të publikuar më 12 shkurt të këtij viti pas një pretendimi ankimor të dërguar nga një punonjëse e Agjencisë së Arkivave. Vendimi i KPMShCK’së obligon ministrin e Kulturës që brenda 15 ditësh ta shfuqizojë.
“Obligohet Ministri në detyrë i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, që brenda afatit prej 15
ditësh nga dita e pranimit të këtij vendimi, të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e
këtij vendimi, ashtu që caktimin ë ushtruesit të detyrës së Drejtorit Ekzekutiv të Agjencisë Shtetërore të
Arkivave të Kosovës, ta bëjë në pajtim të plotë më ligjin material dhe pikëpamjet juridike si në arsyetimin e këtij vendimi“, thuhet ndër të tjera në vendimin e KPMShCK’së.
KPMShCK e arsyeton këtë vendim duke thënë se para se të caktohej si Ushtrues Detyre i Drejtorit të Departamentit për Arkiva Digjitale në ASHAK, që është pozitë e kategorisë së mesme drejtuese, ai bartte pozitë të kategorisë së ulët si udhëheqës i divizionit të Arkivit Ndërkomunal të Pejës.
Në vendim tutje thuhet se nga kategoria e mesme drejtuese, Aliu u caktua në kategori të lartë drejtuese si u.d i drejtorit të ASHAK’së.
“Rrjedhimisht, Kolegji i Këshillit, konstaton se organi i punësimit me rastin e caktimit të nëpunësit përkatës në pozitën e Ushtruesit të Detyrës së Drejtorit Ekzekutiv të ASHAK, ka vepruar në kundërshtim me këto dispozita të aplikueshme ligjore të përcaktuara më lartë dhe që ndërlidhen me këtë çështje, ngase në rastin konkret është dashur të caktoj një zyrtar të lartë nga kategoria pasuese, apo thënë më konkretisht një zyrtarë që mbanë me Akt emërim pozitën e kategorisë së mesme drejtuese, respektivisht Drejtor Departamenti në organin përkatës të punësimit, respektivisht ASHAK-së“, thuhet ndër të tjera në vendimin që e ka parë Insajderi.
Në këshillë juridike specifikohet se nëse pala e pakënaqur që pretendon se vendimi i KPMShCK’së nuk është i ligjshëm mund të iniciojë rast në gjykatë. Në një prononcim për Gazetën Insajderi, Bekim Aliu ka thënë se do ta shfrytëzojë këtë të drejtë.
“Vendimin e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës e kemi pranuar dhe do të veprojmë në përputhje me legjislacionin dhe rregulloret në fuqi. Njëkohësisht, do të shqyrtojmë të drejtën për ankimim në gjykatë, si instanca më e lartë për rishqyrtimin dhe vlerësimin e ligjshmërisë së vendimeve administrative”, ka thënë Aliu për Insajderin.
Aliu bart pozitën e ushtruesit të detyrës së ASHAK që nga 27 korriku, duke tejkaluar gjashtë-mujorëshin e rregulluar me ligj si u.d. i një institucioni.
Para Aliut pozitën e ushtruesit të detyrës së ASHAK’ut e mbajti për një periudhë të shkurtër zëvendës drejtori i këtij institucioni, Mehmed Xhemajli. Pra, nga prilli deri në fund të korrikut. /Insajderi.org/