Insajderi
Lajme

Nuk u përgjigjet asnjë konstatimi, Agim Bahtiri reagon pas publikimit të Gazetës Insajderi

Insajderi
10 October 2026 - 21:51
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Nuk u përgjigjet asnjë konstatimi, Agim Bahtiri reagon pas publikimit të Gazetës Insajderi
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Deputeti i pushtetit dhe mbikëqyrësi i AKI-së, Agim Bahtiri, ish-kryetar i Komunës së Mitrovicës së Jugut, ka reaguar pas publikimit të hulumtimit të Gazetës Insajderi për rastin në të cilin ai ishte i dyshuar dhe të cilin prokurori special, Naim Abazi, e ka mbyllur.

Në reagimin e tij, Bahtiri ka deklaruar se, sipas tij, nuk ka pasur keqpërdorime. Megjithatë, në asnjë pjesë të reagimit nuk i ka kundërshtuar konstatimet e raportimit të Insajderit.

Disa javë më parë, Insajderi i kishte dërguar Bahtirit pyetje lidhur me këtë rast, të cilat i gjeni më poshtë, por ai nuk ishte përgjigjur as në ato.

Pyetjet e dërguara nga Gazeta Insajderi:

Jam duke hulumtuar rastin që lidhet me fondin “Ndihmo edhe ti”, menaxhimin e mjeteve të tij dhe vendimet e marra gjatë kohës kur ju keni qenë kryetar i Komunës së Mitrovicës së Jugut. Hulumtimi bazohet në dokumente zyrtare të Policisë së Kosovës, Prokurorisë Speciale, Thesarit të Kosovës, Njësisë së Inteligjencës Financiare dhe gjykatave.Nga dokumentet që i kam shqyrtuar rezulton se në llogarinë e fondit kanë hyrë gjithsej 395,844.99 euro.

Prej kësaj shume, 369,617.26 euro janë transferuar në Buxhetin e Republikës së Kosovës, ndërsa 26,071 euro janë transferuar për blerjen e një banese për familjen e Selver Haradinajt. Dokumentet e NJIF-K-së e paraqesin këtë transaksion, ndërsa ai nuk figuron në të njëjtën mënyrë në materialet e pranuara nga Komuna dhe Thesari.

Po ashtu, dokumentet tregojnë se në vitet 2016 dhe 2017 janë nxjerrë vendime për shfrytëzimin e 408,593.16 eurove, ndonëse shuma e alokuar për projektin ishte 369,617.26 euro. Nga këto vendime, sipas raportit policor, janë realizuar 156,615.28 euro, ndërsa 251,977.88 euro kanë mbetur të parealizuara. Në rastin e vendimit të 25 tetorit 2016, ku përfitues ishte edhe Ramadan Istrefi, nga 116,284.80 euro janë realizuar vetëm 5,172.80 euro.

Në materialin hetimor përfshihet edhe deklarata e Besnik Bekës, ish-drejtor i Drejtorisë së Shërbimeve Publike dhe Infrastrukturës. Ai deklaron se nuk e di se çfarë është bërë me 251,977.88 eurot e parealizuara, nuk është në dijeni për shumën totale të alokuar dhe nuk mund t’i identifikojë konkretisht bartjet e mjeteve nga një vendim në tjetrin.

Në të njëjtën deklaratë përmendet edhe një donacion i mundshëm prej rreth 100,000 dollarësh nga Lulzim Basha, për të cilin dëshmitari thotë se nuk e di nëse është derdhur në fond apo në llogarinë e Komunës. Këto gjetje do të publikohen në një raport gazetaresk.

Për ta përfshirë qëndrimin tuaj dhe për t’ju dhënë mundësinë të sqaroni faktet, ju lutem të përgjigjeni në pyetjet e mëposhtme. Çdo dokument që mund t’i mbështesë përgjigjet tuaja mund të dërgohet bashkë me përgjigjen.

Pyetjet

1.Si e shpjegoni faktin se vendimet e nxjerra në vitet 2016–2017 arrijnë në 408,593.16 euro, ndërsa shuma e alokuar ishte 369,617.26 euro?

2.Cili ishte burimi konkret financiar për diferencën prej 38,975.90 eurosh?

3.Ku kanë përfunduar 251,977.88 eurot e vendimeve të parealizuara?

4.Ju keni deklaruar se mjetet e vendimit të 25 tetorit 2016 janë përdorur për të njëjtin qëllim, por në pjesë të tjera të veriut të Mitrovicës. Për cilat vendime, familje dhe shuma konkrete bëhet fjalë?

5.A ekziston ndonjë dokument që dëshmon bartjen e mjeteve të parealizuara nga vendimi për Ramadan Istrefin në vendime të tjera?

6.Gjykata kishte caktuar masë të përkohshme sigurie, me të cilën ndalohej ndryshimi i vendimit, tjetërsimi ose fshehja e mjeteve për shumën 40,375.60 euro. A e keni marrë parasysh këtë masë kur e keni nxjerrë vendimin e 1 qershorit 2017 për shfuqizimin e vendimit të 25 tetorit 2016?

7.A e keni njoftuar gjykatën për vendimin e shfuqizimit dhe a keni marrë ndonjë këshillë juridike para nxjerrjes së tij?

8.Pse vendimi i 1 qershorit 2017 nuk është gjetur në arkivin e Komunës, në Zyrën Ligjore apo në kabinetin e kryetarit?

9.Kush e ka hartuar, protokolluar dhe zbatuar këtë vendim?

10.A e konfirmoni se ka ekzistuar një donacion prej rreth 100,000 dollarësh nga Lulzim Basha ose Bashkia e Tiranës? Nëse po, në cilën llogari janë derdhur dhe ku janë dokumentet e këtij donacioni?

11.Kush e ka autorizuar pagesën prej 26,071 eurosh për blerjen e banesës së familjes së Selver Haradinajt dhe pse kjo pagesë nuk figuron në mënyrë të njëjtë në dokumentet e Komunës dhe Thesarit?

12.A jeni i gatshëm të bëni publike pasqyrat financiare, vendimet, dokumentet e pagesave dhe dokumentet që dëshmojnë përdorimin e mjeteve të parealizuara?

Për korrektësi, Insajderi e publikon të plotë reagimin e tij:

Sapo u njoftova për një publikim të portalit “Insajderi” me kryetitull: “Agim Bahtiri nën hetim.”

Në fillim, e kishin shfaqur si kronikë, e pastaj menjëhere e kishin fshirë dhe e kishin lënë vetëm si artikull. Kjo do të thotë se ata as vet nuk janë të sigurtë për këtë publikim.

Që nga fillimi kam thënë se nuk ka njeri në botë që mund të ma bëjë me gisht, duke pretenduar se unë e kam keqperdor poziten zyrtare. Prandaj nuk e di se si dikush që i thotë vetit gazetar, guxon të shpif që në titull, për diçka që Agim Bahtiri nuk është, as nuk do të jetë kurrë. Kam menduar se këta gazetar e dijnë se Agim Bahtiri kurrë në jetë asnjë cent nuk e ka përfituar nga qeverisja si kryetar komune e deri në ditën e sotme, përkundrazi kam shpenzuar me qindra-mijëra euro nga buxheti familjar, duke paguar çdo gjë me paratë e mia private, madje edhe duke ndërtuar shtëpi me këtë buxhet familjar, për shumë familje mitrovicase në nevojë.

Por, mëqe po e shoh se nuk e paskan kuptuar ende, e po guxojnë të luajnë me emrin tim për këso tema që kurrë në jetë nuk mund ta gjejnë asnjë hile, po ua jap edhe një shansë gazetarit Visar Duriqi dhe portalit “Insajderi”. Nëse nuk dalin të kërkojnë falje publikisht për këtë shpifje të turpshme, para dates 12 tetor (që do të thotë kanë kohë deri nesër në mbrëmje), atëherë unë të hënen, duke qenë i pajiusur me të gjithë dokumentacionet e nevojshme, do të angazhoj avokatin tim personal që të dorëzoj padi për shpifje ndaj portalit “Insajderi” dhe gazetarit Visar Duriqi që është marrë direkt me këtë shpifje, i cili duke dalë jashtë petkut të vet të gazetarisë, pa u bazuar fare në fakte, por në interese apo nevoja të dikujt, ka bërë këtë shpifje të turpshme, të cilën emri im dhe i familjes sime nuk e duron dot.

Çdo cent për të cilin ai ka pretenduar se është zhdukur, e kam të verifikuar në dokumente, me vendime, me komisione të cilat për çdo shpenzim janë të pasqyruara. Dua të shtoj se për blerjen e banesës për familjen e Selver Haradinaj, për të cilin ai ka pretenduar se nuk dihet nga kanë shkuar fondet, është e vërtetuar me dokumente se është paguar nga po ai fond, (në total 26,071.00€), në datë 05.11.2012, 1 vit para se të vij unë si kryetar komune.

Nuk e lejoj askënd që të njollos emrin tim, përderisa me mish e me shpirt kam punuar me duar të pastërta për vendin tim.

Prandaj, për këtë shpifje, do të kërkoj dëmshpërblim nga portali në fjalë, dhe këtë dëmshpërblim do ta shpërndaj pikërisht tek personat ne nevojë, ose për studentët, ashtu siç e kam dhënë gjithë pagen time, për 8 vite mandat, sa kam qenë kryetar komune.

Kësaj shpifje do t’i shkoj deri në fund!

AB


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark