Rrugëtimi jetësor i Fatmir Limajt, ish komandant “Çelikut” dhe liderit të Nismës për Kosovën është i lidhur ngushtë me numrin 121, shkruan Insajderi.
Ky numër, do të thotë shumë për të, duke qenë se në luftën e Kosovës, ai ishte komandat i brigadës 121-“Kumanova”.
Ndërkaq sot, në tërheqjen e shortit për renditjen e fletëvotimeve të subjekteve politike në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare që do të mbahen më 14 shkurt, subjekti politik NISMA, lider i të cilit është Fatmir Limaj, mori po këtë numër.
Nismës së Fatmir Limajt, për të forcuar edhe më shumë sloganin #MeÇlirimtarët, me të cilin i kanë hyrë garës së këtyre zgjedhjeve, iu shtua edhe numri 121.
Çeliku i Çlirimtarëve, gati në secilën betejë me brigadën 121 triumfonte. Si në betejën e Llapushnik, Rahovec, Duhël, Malishevë, Therandë…
Brigada 121 Ismet Jashari “Kumanova” ka jetëgjatësinë më të madhe të ruajtjes së kompaktësisë në shtrirjen dhe ruajtjen e territorit, të popullatës së zhvendosur dhe institucioneve të luftës.
Brigada 121, ishte e vetmja Brigadë gjatë luftës së UÇK-së ku kanë qëndruar dhe kanë zhvilluar aktivitet informative, prej 4 janarit deri më 21 qershor të vitit 1999, Radio-Kosova e Lirë dhe Agjencia Kosovapress, dy mediume të themeluara qysh në 13 nëntor të vitit 1998 nga SHP i UÇK-së.
Po ashtu, aty funksiononte në kushte lufte një pjesë e Qeverisë së Përkohshme, në Fshatin e Ri deri në mbarimin e luftës, e gjithashtu funksiononin edhe ambulancat e spitaleve ushtarake gjatë tërë kohës së luftës.
Kjo brigadë dha shumë martirë për çlirimin e vendit, ku ndër ta është edhe Ismet Jashari – Kumanova, Agim Çela, Ibrahim Mazreku, Milaim Beha, Imer Alushani e dhjetëra të tjerë.
Çdo vit, aty ku prehën këta bashkëluftëtarë të Limajt, ai shkon për t’i nderuar për veprën dhe jetën që dhanë.
Ngjashëm si në qëndresën e kësaj brigade në luftë, ashtu pohon Fatmir Limaj, se do të qëndrojë sërish në Kuvendin e Kosovës, për të mbrojtur kauzën e Çlirimtarëve në paqe./ Insajderi.org