×
  • Lajme
  • Insajderi

    Nxënësit po braktisin shkollat në heshtje, Ministria e Arsimit jep shifra alarmante

    Insajderi
    03 January 2023 - 20:21
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Përgjatë vitit shkollor 2021/2022 arsimin parauniversitar e kanë braktisur 1 mijë e 384 nxënës. 90 prej tyre arsimin e obliguar (klasa 1-9) dhe 1 mijë e 297 arsimin e mesëm të lartë (klasa 10-12). Këtë vit akademik krahas atij paraprak 422 nxënës më shumë kanë mbetur jashtë bankave shkollore.

    Nga numri total i nxënësve braktisës 94.9 për qind i përkasin komunitetit shqiptar, 2.17 për qind komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian,  0.8 për qind boshnjak dhe 0.1 për qind turq.

    Ndërsa për nxënësit e komunitetit serbë Ministria e Arsimit ka refuzuar të jap të dhëna, shkruan Insajderi.

    Për parandalimin e këtyre rasteve, kjo ministri ka marrë masa si zhvillimi i doracakëve për veprim të ekipeve në shkolla dhe inspektorëve, si dhe ka mbajtur sesione nëpër shkolla me qëllim edukimin e stafit të shkollës.

    Komuna e Pejës kryeson me 152 nxënës që kanë braktisur shkollën në vitin e kaluar akademik, Drenasi me 109 nxënës, Vushtrria me 92, Prizreni 88, Prishtina 81.

    Por këto të dhëna të ministrisë po i mohon Muhamed Gjoka, drejtor i Drejtorisë Komunale për Arsim në komunën e Drenasit.

    Sipas tij, në komunën e Drenasit asnjë nxënës nuk e ka braktisur shkollën këtë vit madje as në pesë vitet e fundit.

    Për Insajderin, ai ka theksuar se në shkollat e Drenasit në klasën e parë janë regjistruar 61 fëmijë më shumë sesa duhej të regjistroheshin bazuar në të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës.

    Ndëkaq, nënkryetari i komunës së Istogut për komunitete dhe kthim një herësh edhe përfaqësues i komunitetit egjiptian, Valmir Rama,  ka deklaruar se për uljen e numrit të rasteve që braktisin shkollën, institucionet duhet të fokusohen në punësimin e qytetarëve sidomos atyre nga komunitetet jo shumicë.

    Ai ka theksuar se jetesa në kushte më të mira nuk i detyron nxënësit ta braktisin shkollën.

    Rama ka shtuar se  ligji i obligon institucionet të veprojnë për të parandaluar braktisjen tek të gjithë anëtarët e të gjitha komuniteteve.

    “Për tu parandaluar braktisja e shkollës ministria duhet të zbatoj ligjin dhe t’i vë në funksion mekanizmat ekzistues lokal, dhe të mos trajtohen komunitetet si raste të veçanta të cilat përjashtohen për zbatim të ligjit”, u shpreh Rama.

    Shkaqet ekonomike, sociale, elemente të dhunës në familje, të trafikimit, sigurisë, sëmundjes., etj janë disa nga arsyet për mos vijimin e shkollës nga 1 mijë e 94 djem dhe 290 vajza. /Gazeta Insajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark