Oda e Avokatëve të Kosovës, më saktë Komisioni i Ankesave, ia ka ashpërsuar dënimin avokatit Nasuf Hasani, avokat ky i angazhuar nga ministrja Albulena Haxhiu. Nga 500 dënimi tij është bërë në 2500 euro, sic thuhet për të arritur efektin e disiplinimt, pasi që i njëjti sipas këtij vendimi, është recidivist-përsëritës i shkeljeve disiplinore
Gazeta Insajderi
“Besnik Berisha po më ngjason me kastravecin e mërdhitë, ka shku moti ajo kohë kur u nda drejtësia nëpër kafebane”. Kështu kishte shkruar në një status në Facebook avokati Nasuf Hasani më 28 dhjetor të vitit 2021.
Fillimisht ishte shqiptuar një gjobë prej 500 eurosh kundër tij, por Komisioni i Ankesave i Odës së Avokatëve të Kosovës (OAK) në një vendim të fundit që ka marrë, e ndaj të cilit nuk mund të ushtrohet ankesë, e ka rritur këtë dënim edhe për 2 mijë euro.
“Fillimisht Komisioni Disiplinor si shkallë e parë këtë çështje e ka konsideruar si shkelje të lehtë disiplinore, dhe për shkak të parashtrimit absolut ka pushuar procedurën disiplinore ndaj Avokat Nasuf Hasani. Më pas, Komisioni i Ankesave, pas pranimit të ankesave të palëve në procedure, ka vendosur që çështjen ta kthej në rishqyrtim për shkak se në rastin konkret është konstatuar se kemi të bëjmë me shkelje të rëndë disiplinore, me ç’rast nuk është arritur parashkrimi absolut”, thuhet në këtë vendim.
Komisioni Disiplinor i OAK-së me vendimin V.KD.2-3/22 të datës 18.09.2023, ka shpallur përgjegjës të paraqiturin Avokat Nasuf Hasani për shkak të shkeljes së rëndë të detyrave dhe autoritetit të avokatisë nga neni 119 dhe nenit 8 të Kodit të Etikës Profesionale të Avokatit, sepse me datë 28.12.2021 në rrjetin e tij social ka postuar përmbajtjen “Besnik Berisha po më ngjason me kastravecin e mërdhitë, ka shku moti ajo kohë kur u nda drejtësia nëpër kafebane”. Të paraqiturit i është shqiptuar dënim me gjobë në lartësi prej 500€ (pesëqind euro), si dhe i njëjti obligohet të paguaj shumën prej 50€ (pesëdhjetë euro) në emër të paushallit disiplinor. në afat prej 15 ditësh nga plotfuqishmëria e vendimit, nën kërcënimin e përmbarimin të detyrueshëm.
Por, kundër këtij vendimi të parë, palët ishin të pakënaqura dhe kanë paraqitur ankesat në nivel më të lartë.
Kështu, Zyra e Prokurorit Disiplinor ka parashtruar ankesë me nr.2-3-1/22 me datë 06.10.2023, duke konsideruar se gjoba është e ulët sepse në rastin konkret nuk janë marrë parasysh mjaftueshëm rrethanat rënduese se i paraqituri është përsëritës i shkeljes disiplinore te natyrës së njejtë, fakt ky i vërtetuar me Aktvendimin e Gjykatës së Apelit AA.nr.630/2023 të datës 20.09.2023, ku ka mbetur në fuqi Vendimi i formës së prerë V.KA.nt.18-14/22 i datës 02.06.2023, me të cilin vendim të paraqiturit i është shqiptuar gjobë në lartësi prej 2,000.00€ (dymijë euro). Si dhe rrethana tjetër rënduese që i paraqituri është bartës i pozitës vendim- marrëse, e ka të njohur normativën e OAK-së dhe do të duhej të promovonte shembull të mirë etik. Rrjedhimisht, Zyra e Prokurorit Disiplinor ka propozuar që Vendimi i ankinuar të ndryshohet ashtu që të arrihet qëllimi i procedures disiplinore dhe i paraqitur të mos përsëris shkelje disiplinore që cenojnë imazhin e avokatisë.
Edhe avokati që bëri fletëparaqitjen, Besnik Berisha, ka parashtruar përgjigje në ankesën e Prokurorit Disiplinor me nr.2-3-4/23 me datë 30.10.2023, duke konsideruar se gjoba e shqiptar është tejet e ulet dhe jo-proporcionale në raport me nivelin e dashjes së të paraqiturit, sjelljet e tij paraprake, të mirat e rrezikuara siç janë dëmtimi i imazhit dhe prestigjit të avokatisë. Me ç’rast ka propozuar që ankesa e Prokurorit Disiplinor të aprovohet si e bazuar dhe të ndryshohet Vendimi i ankimuar duke i shqiptuar të paraqiturit masën disiplinore humbja e të drejtës së ushtrimit të avokatisë për periudhën 6 muaj.
Avokat Nasuf Hasani, kishte parashtruar ankesë me nr.2-3-3/22 me datë 30.10.2023, duke konsideruar se Komisioni Disiplinor nuk ka trajtuar pretendimin e tij për përjashtimin e Prokurorit Disiplinor Rexhep Veseli, e si rrjedhojë këtë kërkesë të tij nuk e ka trajtuar as Këshilli Drejtues i OAK-së.
Më tutje ai pati thënë se në lidhje me këtë çështje ka parashtruar padi në gjykatën kompetente. Duke propozuar që ankesa e tij të aprovohet, dhe vendimi i ankimuar të anulohet si i kundërligjshëm dhe çështja të kthehet në rishqyrtim. Ndër të tjera, i paraqituri në ankesën e tij në paragrafin e fundit të ankesës ka parafrazuar se refuzon kategorikisht që kjo ankesë e tij të shqyrtohet nga anëtarët e shkallës së dytë, respektivisht Avokatët Daut Rudi, Edona Sina, Kadri Sylaj, Drenusha Berisha dhe Shpetim Sadiku.
“Zyra e Prokurorit Disiplinor la parashtruar përgjigje në ankesën e parashtruar nga i paraqitur me nr 2-3-5/22 me datë 01.11.2023, duke kundër-argumentuar në lidhje me përjashtimin e Prokurorit Disiplinor Rexhep Veseli, duke bashkangjitur Vendimin e Këshillit Drejtues 725/2023 i datës 17.08.2023, të cilin vendim i paraqituri e la pranuar me date 14.09.2023 sipas fletë-kthesës postare, me të cilin vendim të paraqiturit i është refuzuar kërkesa për përjashtimin e Prokurorit Rexhep Veseli”, thuhet në këtë vendim.
Komisioni i Ankesave vlerësoi afatshmërinë e ankesave dhe përgjigjes në ankesa, ku në bazë të shkresave të lëndës ka rezultuar që të gjitha janë parashtruar brenda afatit.
Para se Komisioni i Ankesave të lëshohet në trajtimin e pretendimeve në ankesat e palëve, me prioritet ka trajtuar pretendimin nga ana e të paraqiturit në lidhje me refuzimin e tij që ankesa e tij të trajtohet nga Avokatët Daut Rudi, Edona Sina, Kadri Sylaj, Drenusha Berisha dhe Shpetim Sadiku.
“Në këtë drejtim ky Kolegj konstaton se në shkresa të lëndës nuk ka asnjë kërkesë zyrtare të veçantë dhe të arsyetuar nga i paraqituri në lidhje me përjashtimin e emrave të lartcekur, siç e përcakton neni 18 i Rregullores per Proceduren Disiplinore per Avokatë dhe Praktikantë. Për përjashtimin e anëtarëve të Komisionit të Ankesave vendos Kryetari i Komisionit të Ankesave, në rastin konkret do të duhej të vendos Avokat Daut Rudi, e për përjashtimin e kryetarit vendosin anëtarët.
Mirëpo i paraqituri ka përfshirë edhe emrin e kryetarit, edhe emrat e shumicës së anëtarëve të Komisionit si shkallë e dytë. Tutje ky Kolegj konstaton se, Komisioni i Ankesave nuk i nënshtrohet asnjë organi tjetër mbikëqyrës brenda OAK-së, është organ krejtësisht i pavarur që nxjerrë aktin përfundimtar administrativ, dhe si i tillë çështja e përjashtimit të mëtutjeshëm të kryetarit së bashku me shumicën e anëtarëve të tjerë nuk është e paraparë me asnjë normativë. Për më tepër, ky pretendim nga ana e të paraqiturit nuk përmban asnjë arsye të qartë dhe të qëndrueshme që do të argumentonte paanshmërinë eventuale të këtij Kolegji, i njëjti është parashtruar vetëm me qëllim të prolongimit të procedurës që çështja të arrin afatin e parashkrimit absolut. Andaj, kolegji unanimisht konstaton që ky pretendim nuk është i lejuar e as i bazuar”, thuhet në vendim.
Më tutje, pas analizimit të të gjitha pretendimeve te parashtruara nga palët në procedure, Komisioni i Ankesave vlerësoi se ankesa e ushtruar nga Zyra e Prokurorit Disiplinor është e bazuar.
“Komisioni Disiplinor si shkallë e parë ka vërtetuar në mënyrë jo të plotë faktet në lidhje me matjen e lartësisë së masës disiplinore, duke vepruar përkitazi me procedurën penale do të duhej të merrej parasysh minimumin dhe maksimumin i paraparë i gjobës për shkelje të natyrës së rëndë. Në bazë të nenit 123 të Statutit të OAK-së minimumi i gjobës për shkelje të rënda është 500€ (pesëqind euro), ndërsa maksimumi është 5,000€ (pesëmijë euro), në vendimin e shkallës së parë mungon arsyetimi pse është shqiptuar minimumi i paraparë, kur në rastin konkret është gjetur asnjë rrethanë lehtësuese. Komisioni i shkallës së parë është dashur të i jep peshën e duhur rrethanave rënduese siç janë: qëndrimi dhe qasja jo-korrekte ndaj gjithë organeve të OAK gjatë zhvillimit të kësaj procedure (dhe proceseve të tjera), duke përfshirë edhe emra të avokatëve nga Komisioni Disiplinor dhe Komisioni i Ankesave. Tendenca e të paraqiturit ankese për të ushtruar një lloj presioni brenda OAK-së duke shprehur pakënaqësitë e tij qoftë me kallxime penale, me padi në gjykatë, apo me e-maila të gjatë akuzues, nuk do të duhej të zbrapsin Komisionin e shkallës së parë që të gjykoj drejtë dhe në bazë të normativës se OAK-së, e kurrsesi të favorizojnë apo të rëndojnë dikë më shumë se sa e lejon normativa e OAK-së”, thuhet në arsyetimin e vendimit.
Komisioni madje kujton që Nasuf Hasani “në një rast tjetër disiplinor, është përgjegjës me vendim të formës së prerë ku i është shqiptuar gjobë në lartësi prej 2,000€ (dymijë euro) për shkelje të rëndë disiplinore, kjo vërtetuar edhe me vendim gjyqësor të plotfuqishëm AA.nr.630/2023 të datës 20.09.2023, që do të thotë kemi të bëjmë me një përsëritës të shkeljeve disiplinore:, thuhet në vendim.
Komisioni po ashtu ka rikujtuar se avokati Hasani është bartës i një pozite vendim-marrëse brenda OAK-së (Kryetar i degës në Prishtinë), e ka të njohur normativen e OAK-së, “dhe do të duhej të promovonte shembull etik tek të gjithë avokatët e tjerë, te institucionet dhe mbarë shoqëria, si dhe i njejti asnjëherë nuk shpreh pendesën e tij. Kur kemi të bëjmë me raportin avokat-avokat, shkeljet e tilla nuk duhen të tolerohen, sepse raporti mes avokatëve është pasqyre se si na shohin të tjerët neve”.
Mënyra e komunikimit që ka zgjedhur i paraqituri (Nasif Hasani), sipas vendimit të OAK, nuk është aspak profesionale dhe dëmton imazhin e gjithë avokatisë.
“Prestigji i avokatisë dëmtohet kur vetë avokatët zgjedhin gjuhën e ofendimeve publike, e kur kjo ndodhë atëherë sigurisht që do të humb edhe respekti nga të tjerët ndaj profesionit tonë. Andaj edhe masat disiplinore për shkelje të tilla disiplinore duhet të ashpërsohen që të arrihet qëllimi i procedurës disiplinore”, thuhet në arsyetim.
Në lidhje me pretendimet e të paraqiturit në ankesë, Kolegji i konsideron që të gjitha si të pabazuara.
“Vetë i paraqituri në ankesë thirret vetëm në çështjen e përjashtimit të Prokurorit Disiplinor Rexhep Veseli (pa u lëshuar më tutje). Kolegji konstaton se në lidhje me këtë ka vendosur Këshilli Drejtues si organ kompetent me vendimin nr.725/2023 të datës 18.08.2023. Për me tutje i paraqituri çështjen e ka vazhduar me padi në gjykatën kompetente, mirepo parashtrimi i padisë nuk e ndalon ekzekutimin e vendimit të Këshillit Drejtues, rrjedhimisht Kolegji shqyrtues nuk ka gjetur asnjë pengesë procedurale në këtë drejtim. Në lidhje me materialin e bashkangjitur në ankesë siç janë e-mailet, materiale nga portalet informuese, vendime të ndryshme të OAK-së, vendime procedurale nga një rast penal gjyqësor, parashtresat e komunikimeve ndër institucionale etj, që të gjitha janë irrelevante, nuk bien në domenin e trajtimit të kësaj çështje disiplinore, dhe si të tilla nuk kanë asnjë fuqi provuese për një vendim ndryshe”, thuhet në vendim.
Sa i përket parashtrimeve të ushtruesit të fletëparaqitjes (avokatit Besnik Berisha) në përgjigjen e tij në ankesë të prokurorit, në lidhje me propozimin e tij që të paraqiturit të i shqiptohet masa disiplinore ndalimi i ushtrimit të avokatisë në periudhë 6 mujore, Kolegji e konsideron si masë shumë e rëndë që nuk përkon me rrethanat në rastin konkret, por që me shqiptimin e gjobës në lartësi sikur në dispozitiv të këtij Vendimi do të arrihet qëllimi i kësaj procedure disiplinore. /Insajderi.org/