Tjetër ofertë për Taulant Seferin. Këtë herë vjen nga Norvegjia. Një nga skuadrat e kampionatit nordik ka ofruar një shumë të madhe për kartonin e lojtarit. Gjithsesi, skuadra norvegjeze nuk jep një rrogë të madhe, ndryshe nga ofertat e tanishme.
Po kështu, problem për transferimin është menaxheri i lojtarit. Menaxheri kërkon që në skuadrën që ka gjetur Tirana të jetë pjesë dhe të negociojë për të ardhmen e Seferit. Kjo ka vështirësuar shumë marrëveshjen për largimin e Seferit në Ukrainë.
Prej ditësh bomberi 25- vjeçar mungon në stërvitje me bardheblutë. Zyrtarisht ka marrë leje nga klubi, por burime pranë kampionëve bëjnë me dije se ai thjesht po pret ofertën e duhur.
Orët e fundit mësohet se një klub ukrainas (një mes Zorias dhe Vorskla Poltavës) kanë ofruar shumën prej 500 mijë eurosh për kartonin e tij, por edhe një rrogë të majme.
Autori i 19 golave sezonin që shkoi është duke medituar për ofertën, ndërsa mësohet se presidenti i Tiranës, Refik Halili, ka refuzuar. Kreu i klubit kampion pretendon të paktën 700 mijë euro për golashënuesin e sezonit të shkuar (së bashku me Guindon).
Ukrainasit, gjithsesi, nuk janë tërhequr dhe po vazhdojnë të negociojnë duke shpresuar në një ulje të çmimit për kartonin e 25-vjeçarit, i cili është nën kontratë me Tiranën edhe për dy vite.