×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza / Analiza

    OJQ-ja e dyshimtë në derë të Policisë, si implikohet me të ish-kryeministri i kohës së Sllobodan Millosheviqit?

    Insajderi
    01 February 2024 - 16:48
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Organizata jo-qeveritare Qendra për Paqe dhe Tolerancë ishte themeluar fillimisht në 1999’ën në administratën e atëkohë të emëruarit të Sllobodan Millosheviqit në mënyrë të dhunshme kryeministër për Kosovën, Zoran Angjelkoviq. Aty ishin hapur ankesat për kinse krime dhe frikësim ndaj serbëve, për t’ua dorëzuar KFOR’it. OJQ’ja me emër të njëjtë por me degë në Prishtinë u bastis dje pranë stacionit policor në qendër të Prishtinës, nën dyshimin për shërbime të kundërligjshme mjekësore.

    Menjëherë pas themelimit të kësaj OJQ’je, Angjelkoviq kishte folur për mediat e huaja më 1999’ën për ta prezantuar projektin. Në një raportim të ‘United Press International’ të 1999’ës që flet për shkatërrimin e dokumenteve zyrtare në Kosovë në atë periudhë përmendet Angjelkoviq duke mohuar se administrata e tij e dhunshme po e bën një gjë të tillë. Aty përmendet edhe OJQ’ja ‘Qendra për Paqe dhe Tolerancë’, shkruan Gazeta Insajderi.

    “Angjelkoviq, ish-qeveritari i Kosovës, mohoi se stafi i tij po shkatërronte letrat. “Jo, të gjitha dokumentet janë të ruajtura”, tha ai për The Independent… Ndërkohë, në ndërtesën e administratës është ngritur një Qendër për Paqe dhe Tolerancë, ku serbët mund të paraqesin ankesa për krim dhe frikësim, të cilat do t’i kalojnë KFOR-it”, thuhet në raportim të 99’ës.

    Policia e Kosovës ka bastisur gjatë së mërkurës zyrën e OJQ’së Qendrës për Paqe dhe Tolerancë në Prishtinë, ngjitur me hyrjen e stacionit policor “Qendra” në Prishtinë. Prokuroria ka njoftuar se në këtë objekt dyshohet se janë duke u ofruar shërbime të kundërligjshme mjekësore.

    “Departamenti i Organizatave Joqeveritare në kuadër të MPB-së ka konfirmuar se organizata në fjalë “Centar za Mir i Toleranciju Pristina” nuk ka respektuar legjislacionin në fuqi mbi funksionimin e OJQ-ve. Pas bastisjeve është kuptuar që ajo hapësirë nuk është shfrytëzuar fare për natyrën e kësaj OJQ-je”, ka thënë Sveçla.

    Ndërlidhja e Angjelkoviq me këtë organizatë ishte bërë më shumë se një herë. Për Angjelkoviq, i cili është zyrtar i partisë së Daçiqit, u raportua se fitoi mbi 20 mijë euro përmes OJQ’së Qendra për Paqe dhe Tolerancë nga Komuna e Graçanicës.

    Mediat ndërkombëtare dhe ato vendore kanë botuar dokumente të cilat flasin për financimin që i ka bërë komuna e Graçanicës OJQ-ve të afërta me pushtetin serb, ku në këtë listë gjendet edhe “Qendra për Paqe dhe Tolerancë” e cila ka marrë hiq më pak se 20,356.11 euro.

    Pas këtyre raportimeve, Shoqata e Gazetarëve të Serbisë kishte tentuar t’i prezantojë OJQ’të Qendra për Paqe dhe Tolerancë në Prishtinë dhe atë në Beograd si dy entitete të ndryshme juridike, pa pasur ndonjë lidhje me njëra-tjetrën.

    “Mund të konstatohet qartë se Qendra e lartpërmendur për Paqe dhe Tolerancë nga Beogradi dhe Qendra për Paqe dhe Tolerancë nga Prishtina janë dy subjekte juridike krejtësisht të ndryshme të regjistruara në dy sisteme të ndryshme juridike”, thuhej në një reagim të tyre.

    Kush është Organizata Joqeveritare “Centar za Mir i Toleranciju Pristina”?

    Bazuar në të dhënat e Sistemit Elektronik të Organizatave Joqeveritare kuptohet se organizata e cila u bastis sot nga Policia e Kosovës dhe Prokuroria Themelore në Prishtinë, “Centar za Mir i Toleranciju Pristina“, është themeluar nga tre persona: Sasa Ilic, Srdan Popovic, Zorica Obradovic, raporton Insajderi.

    Kryetar i kësaj organizate është Sasa Ilic. Ndërkaq, adresa e saj thuhet se është në Graqanicë. Sipas SEOJQ, organizata është themeluar me tetor 2002.

    Organizata e cila dyshohet se ka ofruar shërbime të kundërligjshme mjekësore në këtë objekt, ka prezantuar një qëllim krejtësisht të ndryshëm në Sistemit Elektronik të Organizatave Joqeveritare.

    Aty thuhet se, organizata në fjalë ka për qëllim përmirësimin e jetës shoqërore në Prishtinë dhe në pjesët tjera të Kosovës, si dhe përmirësimin e kushteve të jetesës në aspektin social dhe përmirësimin e ekonomisë përmes ndërmarrjeve të vogla.

    Një nga aktivitetet kryesore të prezantuara nga kjo organizatë është ‘gjetja e mënyrës për vendosjen e dialogut për përhapjen e tolerancës dhe paqes ndërmjet të gjitha grupeve etnike në Kosovë‘.

    “Qëllimi i këtij organizimi është përmirësimi i gjithë jetës shoqërore në Prishtinë dhe në pjesët tjera të Kosovës, kjo nënkupton përmirësimin e kushteve të jetesës në aspektin social, përmirësimin e ekonomisë përmes ndërmarrjeve të vogla. Aktivitetet tona do të punojnë në edukimin, organizimin e jetës kulturore dhe mbështetjen e aktiviteteve sportive të të rinjve, një nga aktivitetet kryesore është gjetja e mënyrës për vendosjen e dialogut për përhapjen e tolerancës dhe paqes ndërmjet të gjitha grupeve etnike në Kosovë dhe në atë mënyrë për të kontribuar. për demokratizimin e shoqërisë kosovare.”, thuhet në SEOJQ. /Insajderi.org/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark