Një operacion i gjerë kundër kultivimit të lëndëve narkotike është zhvilluar gjatë së martës në Krujë.
Policia e Shtetit ka njoftuar se gjatë këtij aksioni janë evidentuar dhe asgjësuar me anë të djegies një numër i konsiderueshëm fidanësh dhe bimësh narkotike kanabis.
“Operacioni, ku po përdoren edhe dronë të cilësisë së lartë, është shtrirë në territorin e fshatrave të njësisë administrative Cudhi dhe do të vazhdojë në ditët në vijim në territorin e fshatrave të njësive të tjera administrative të rrethit Krujë”, thuhet në njoftim.
Gjithashtu, sipas Policisë, gjatë operacionit janë intensifikuar kontrollet edhe në ambiente të mbyllura, ku dyshohet se mund të kultivohen bimë narkotike me ndihmën e llambave.
“Ndërkohë, grupet e posaçme hetimore po kryejnë veprime hetimore në terren, nën drejtimin e Prokurorisë, me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorëve”, thuhet më tej në njoftim.