Ashtu siç pritej, zgjedhjet i fituan kandidati i Të Gjelbërve, Winfried Kretschmann në Baden-Vyrtemberg edhe socialdemokratja Malu Dreyer në landin Renani-Palatina. Historike ishte humbja për partinë konservatore CDU.
Asnjëherë më parë Unioni Kristiandemokrat, CDU nuk ka pasur një rezultat kaq të dobët zgjedhor në të dyja landet. Dukshëm më pak se 30% në të dyja bastionet e dikurshme, ku shumicat absolute nuk ishin të rralla. Tek kristiandemokratët thjesht vështrimi tek tabela e rezultateve duhet të shkaktojë frikë. Gjashtë muaj para zgjedhjeve parlamentare në shtator partia duhet të pyesë veten si të dalë nga spiralja me drejtim rënien.
Edhe në nivel federal shenjat tregojnë rënie. Në sondazhe aktuale, CDU bashkë me simotrën kristiansociale, CSU arrin vetëm 33%. Një vlerë që pritet të bjerë edhe më tej për shkak të aferës së maskave, ku janë përfshirë politikanë të të dyja partive. Shuplakat në këto dy zgjedhje sigurisht lidhen me shkeljet e dy deputetëve të tyre ndërkohë të larguar nga Bundestagu. Por Unioni do të bënte mirë t’i kërkonte arsyet edhe diku tjetër.
Afera e maskave vetëm e përshpejtoi rënien
Në landin Renani-Palatina shenjat janë për vazhdim të koalicionit të socialdemokratëve, Të Gjelbërve dhe liberalëve të FDP-së. Edhe në Baden-Vyrtemberg një trio e tillë do të ishte e mundur. I pari dhe i vetmi kryeministër landi i Gjelbër në Gjermani, Kretschmann mund edhe ta injorojë CDU-në. Me të ai qeveris që nga viti 2016, por a do ai të ketë partnere një kandidate kaq të dobësuar?
Epoka e Angela Merkelit merr fund si ajo e Kohlit
Megjithatë në jugperëndim të Gjermanisë, në landin Baden-Vyrtemberg, Të Gjelbrit kanë aq shenja konservatore, saqë mund t’i marrësh për një kopje të CDU-së. Ata përshtaten si partnerë, dhe rekomandohen edhe si një konstelacion në Berlin. Sepse partia ambientaliste kërkon pas zgjedhjeve parlamentare në shtator të bashkëqeverisë patjetër, e këtë mund ta arrijë vetëm me Unionin. Megjithë shenjat e dobësimit në nivel federate sinjalet janë për një aleancë të konservatorëve me ambientalistët pas epokës së Merkelit.
Merkel pas 16 vitesh kancelare nuk do të kandidojë më. Rënia e partisë CDU pak para fundit të mandatit të saj të kujton epokën e Helmut Kohlit, babait të saj politik. Kohl ishte kancelar i Gjermanisë nga viti 1982-1998, aq gjatë sa Merkel. Edhe ai la pas vetes një CDU mjaft të pasigurtë, që u desh të kalonte në opozitë. Me vështrimin drejt zgjedhjeve të Bundestagut, Unionin mund ta ngushëllojë fakti që edhe në të ardhmen mund të zerë vend në kancelari. Por për këtë duhet që Unioni shpejt të vendosë piketat në mënyrë strategjitke.
Unioni duhet të vendosë kandidatin për kancelar
Gjermania dhe bota duan ta dinë, se kush do të pasojë Angela Merkelin, nëse Unioni megjithë humbjet e pritshme sërish do të kryesojë qeverinë në shtator. Kancelari i ardhshëm mund të jetë, Armin Laschet i CDU-së ose Markus Söder i CSU-së. Njëri do të jetë kandidat për kancelar. Sa më shpejt të merret ky vendim, aq më shpejt do të shpëtojë CDU nga kryetitujt negativë aktualisht. Të Gjelbrit do ta dinin me kë kishin të bënin, nëse rezultati do të mjaftonte për një koalicion me konservatorët. Edhe elektorati do të mund të vriste mendjen konkretisht se cilin kandidat e sheh si më të aftin, një kandidat Laschet apo Söder. Të dy kandidatët potencialisht do të qëndronin para detyrës së vështirë të përmirësimit të imazhit të partive të tyre. E askush nuk do t’i ketë zili për këtë hipotekë, që duhet shlyer, pavarësisht rezultatit të zgjedhjeve parlamentare./DW.