×
  • Sport
  • Sport / Insporti

    “Opozita e FFK-së” nis lëvizjet për të dalë me një kandidat të vetëm për president

    Insajderi
    04 March 2022 - 15:39
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    E ashtuquajtura “Opozita e FFK-së”, e përbërë nga ish zyrtarë të lartë të Federatës së Futbollit të Kosovës dhe më gjerë, disa prej të cilëve i kanë deklaruar kandidaturat e tyre për kryetar të FFK-së, tashmë i ka nisur lëvizjet konkrete për t’u bashkuar dhe për të dalë  me një kandidat të përbashkët për kryetar, me qëllim që ta rrëzojnë nga posti kryetarin aktual, Agim Ademin, me të cilin qe një kohë të gjatë kanë krijuar ndarje të thellë.

    Gazeta Express ka mësuar se grupi i të pakënaqurve me qeverisjen e Agim Ademit në futboll, i përbërë nga dy kandidatët e deklaruar, Remzi Ejupi e Arianit Ahmeti, dhe të tjerëve që shiheshin si kandidatë potencial, si: Eroll Salihu, Afërdita Fazlija, Gramoz Vokrri, etj, tashmë po punojnë seriozisht në këtë drejtim.

    Lëvizjet e bashkimit të këtij grupi, përpos burimeve të afërta me zhvillimet, janë konfirmuar edhe nga disa prej të lartpërmendurve, me të cilët ka kontaktuar Gazeta Express, por që nuk deshën t’u zbulohen emrat.

    Ata thanë se te këta njerëz kanë vullnetin që të bashkohen për interes të ndryshime në futboll dhe se të gjithë ata janë të vetëdijshëm se të bashkuar, me një kandidat të përbashkët, mund ta arrijnë qëllimin.

    “Kjo na është kërkuar edhe nga shumë klube. Mirëpo, duhet ta keni parasysh: Ky grup nuk bashkohet për Kuvendin që e ka caktuar Agim Ademi të mbahet më 6 prill, sepse ky Kuvend i thirrur prej tij është krejtësisht i paligjshëm dhe përmban shkelje të shumta e të mëdha. Ky grup nëse bashkohet, atëherë bashkohet për një Kuvend ligjor dhe demokratik”, tha një burim brenda këtij grupi. 

    “Ende nuk e kemi diskutuar emrin me të cilin duhet ta kandidojmë, por besoj se do ta bëjmë së shpejti. Besoj pajtimi për përcaktimin e kandidatit do të ndodh më lehtë sesa që dikush pret”, tha ky burim.

    Komiteti Ekzekutiv i FFK-së, i kryesuar nga Agim Ademi, të mërkurën papritmas e lëshoi një deklaratë, përmes së cilës tha ka e ka vendosur 6 prillin si datë të zgjedhjeve. I bie që zgjedhjet të mbahen disa muaj para skadimit të mandatit të kryetarit aktual, i cili skadon në korrik. Data e zgjedhjeve u bë e ditur vetëm një muaj para mbajtjes së Kuvendit. 

    Dhe, qysh në start filluan pakënaqësitë. Fillimisht reaguan Remzi Ejupi dhe Arianit Ahmeti. Ata thanë se sipas statutit të FFK-së, Kuvendi Zgjedhor duhet të caktohet dy muaj para mbajtjes së tij, e jo një muaj siç bëri Komiteti Ekzekutiv i FFK-së. Sipas tyre, një muaj më herët mund të ftohet Kuvendi i Jashtëzakonshëm i FFK-së, gjë që ndodh vetëm në raste të pazakonta, kur në rrethana specifike e të papritura federata mbetet pa kryetar. 

    Ndërkohë, mbrëmë u publikua një letër që e ka dërguar në Komitetin Ekzekutiv të FFK-së Eroll Salihu, i cili, si rezultat i përçarjeve të raporteve me kryetarin Agim Ademi, para pak muajsh është larguar nga posti i sekretarit gjeneral të FFK-së, duke u zhvendosur në një pozitë krejt të ulët në FFK.  

    Eroll Salihu, njohës i mirë i çështjeve ligjore si një jurist me profesion, sidomos të atyre që ndërlidhen me sportin e sidomos futbollin, ia ka tërheq vërejtjen kryesisë së FFK-së dhe Agim Ademit se zgjedhjet janë të paligjshme, duke iu referuar statutit të FFK-së, në hartimin e të cilit ka punuar vetë Salihu, e po ashtu duke iu referuar ligjeve në fuqi të Republikës së Kosovës.

    Edhe (KMDLNJ) shprehu keqardhje për situatën e krijuar në procesin zgjedhor të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK). Drejtori i këtij këshilli, Behxhet Shala, doke folur për Gazetën Express, bën thirrje që zgjedhjet në FFK të organizohen në mënyrë demokratike duke i respektuar ligjet e Kosovës, statutin e FFK-së, të drejtat e delegatëve dhe kandidatëve për kryetar. Ai thotë se kryetari aktual e ka krijuar njëfarë “monopoli”, ndërsa FFK-së ia kujton se në kuvend pas kuvendi bën shkelje të rregullave dhe procedurave. Thotë se kuvendi duhet të shpallet i paligjshëm nëse nuk respektohen standardet demokratike.

    Në anën tjetër, FFK-ja kishte njoftuar se e ka marrë pëlqimin nga UEFA e FIFA për këtë proces zgjedhor që e ka nisur. 

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark