Presidentja e vendit Vjosa Osmani ka dhënë tender prej afro 17 mijë euro mbështetësit të saj. Ky tender u dha për rregullimin e veturës historike të ish-presidentit, Ibrahim Rugova. Në garë për këtë tender ishin edhe dy kompani tjera, ndërsa kishte edhe oferta më të lira se ajo që iu dha mjeshtrit mbështetës të Vjosa Osmanit, Ymer Mariqi, shkruan Insajderi.
Gazeta Insajderi
Automjeti historik “Choverlet” i ish- presidentit Ibrahim Rugova do të riparohet. Më 8 dhjetor të vitit 2023, Presidenca kishte iniciuar tender për riparim dhe përgatitje teknike të automjetit historik “Choverlet” për aktivitete cermoniale.
Por, që në këtë tender fillimisht nuk kishte interesim nga kompanitë.
Pasi presidenca rriti vlerën nga 10 mijë euro sa ishte në fillim, në 20 mijë euro, shpalli tenderin për herë të dytë, ku në garë hynë tre kompani.
Me tender prej 16 mijë e 756 euro nga Presidenca me 8 maj 2024 u shpërblye mjeshtri Ymer Mariqi B.I.
I njëjti del të jetë mbështetës i Vjosa Osmani.
Kështu të paktën lë të nënkuptohet një postimin i tij në “Facebook” ku ka shpërndarë një fotografi të presidentes.
Presidenca ia besoj punën Mariqit edhe pse ai nuk ishte më i liri ofertues.
Një operator tjetër kishte dhënë ofertën prej 15 mijë euro.
Nga veturë për muze në përdorim të Presidencës
Para katër vitesh si kryetare e Kuvendit, Vjosa Osmani kishte kërkuar që vetura historike që u sulmua Rugova të bëhet muze. Ndërsa sot ajo dëshiron që kjo veturë të përdoret për aktivitete ceremoniale.
Osmani mes tjerash në cilësinë kryeparlamentares në atë kohë kishte thënë se kjo veturë është pjesë rëndësishme e historisë dhe se duhet marrë në mbrojte.
”Si kryetare e Kuvendit të Kosovës, do t’u propozoj institucioneve përgjegjëse që këtë veturë, e cila është pjesë e rëndësishme e historisë së Kosovës, ta marrin nën mbrojtje. Atë veturë nuk guxon ta mbulojë pluhuri i harresës. Ajo është dëshmi se duhet ta ruajmë kujtesën kolektive e jo të bëhemi pjesë e amnezisë kolektive. Është dëshmi se Presidenti nuk thyente parimet as kur përballej me bombat. Prandaj, ajo veturë duhet të jetë në muze, qoftë në Muzeun Kombëtar, qoftë në atë të Pavarësisë“, kishte deklaruar ajo në vitin 2020.
Por, si presidente në dhjetor të vitit të kaluar kishte urdhëruar Zyrën e Prokurimit që të nisë procedurat për riparimin e veturës kryesore të ish-presidentit Rugova. Kjo ngase po i nevojitet asaj për ceremoni të ndryshme. /Insajderi.org/