×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    Osmani uron qytetarët për 2024, ky është mesazhi i presidentes

    Insajderi
    31 December 2023 - 18:25
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Presidentja Vjosa Osmani uron qytetarët e Kosovës me rastin e ndërrimit të mot-motit duke thënë se 2024-ta të jetë një vit në të cilin të gjithë do të ndihen të vlerësuar, duke mos u zmbrapsur përpara sfidave dhe duke përmbushur aspiratat si shoqëri dhe shtet.

    Ajo ka thënë se 2023-ta ishte një dëshmi e qëndrueshmërisë dhe shpirtit të palëkundur kundrejt sfidave, teksa 2024-ta është mundësi e mirë për të hapur perspektivë të re për të gjithë, për ta rritur shpresën, besimin dhe angazhimin se krahas me ndryshimin e viteve, do të jemi më mirë se në vitin e mëparshëm.

    “Të përkushtohemi që 2024-ta, të jetë vit në të cilin dëgjohet secili, vit në të cilin të gjithë do të ndihemi të vlerësuar e të përmbushur. Viti që po vjen, qoftë vit i përmbushjes së aspiratave tona si shoqëri dhe si shtet. Përpara sfidave nuk duhet të zmbrapsemi, por duhet të synojmë t’i arrijmë lartësitë. Urojmë që ky vit i ri t’i sjellë të gjitha të mirat për të gjithë qytetarët tanë. Më shumë dashuri për të vegjlit tanë, më shumë suksese për rininë tonë, më shumë begati për punëtorët e pensionistët tanë dhe më shumë kujdes, humanizëm e solidaritet për të pambrojturit dhe për ata që kanë më së shumti nevojë”, ka thënë Osmani.

    E para e shtetit tonë një falënderim të veçantë ka për të gjithë ata që në këtë natë ndërrimi të mot-motit kujdesen për shëndetin dhe sigurinë e vendit tonë, si dhe për të gjithë të tjerët në krye të detyrës.

    “Viti 2024 qoftë i mbushur me shëndet, dashuri, suksese dhe shkëlqim në të gjitha fushat. Qoftë vit arritjesh pozitive, ku veprat flasin më shumë se fjalët, ku mundësitë janë pafund e ku gëzimi, mbarësia dhe hareja na rrethojnë në çdo anë! Shumë urime për vitin 2024! Gëzuar!”, përfundon urimi i presidentes Osmani.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark