×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    Osmani: Zgjedhjet në Veri mund të organizohen, duhet të sigurohet pjesëmarrja e serbëve

    Insajderi
    06 June 2023 - 13:54
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Presidentja Vjosa Osmani ka pritur sot në takim përfaqësuesin special të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe përfaqësuesin Special të BE-së për Dialog, Miroslav Lajcak.

    Në njoftimin e zyrës së presidencës thonë se Osmani shprehu përkushtimin e plotë që të punohet së bashku me partnerët ndërkombëtarë në mënyrë që në veri të vendit të sundojë rendi e ligji dhe të ruhet sovraniteti i Republikës së Kosovës.

    Sipas Presidentes Osmani, ndëshkimi i grupeve kriminale dhe individëve që përdorën dhunë ndaj policisë, gazetarëve, pjesëtarëve të KFOR-it, EULEX-it dhe qytetarëve, është rruga e vetme për stabilitet të qëndrueshëm dhe afatgjatë. Prandaj, theksoi ajo, presim që institucionet ligjzbatuese ta bëjnë punën e tyre, në përputhje me ligjin, në mënyrë që grupet kriminale përgjegjëse për dhunën të përballen me drejtësinë.

    Osmani ka potencuar se zgjedhjet e reja në komunat në veri të vendit mund të organizohen në përputhje me kornizën aktuale kushtetuese e ligjore dhe në këtë kontekst, ajo shtoi se duhet të sigurohet pjesëmarrje demokratike e qytetarëve që jetojnë në këto katër komuna.

    Në takim me të dy emisarët, presidentja potencoi rëndësinë e fuqizimit të aleancës me SHBA-të dhe BE-në, në përmbushjen e synimeve të përbashkëta për rrugën euroatlantike dhe fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës. /Insajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark