Një komunikim i datës 1 tetor 2012, i përfshirë në dosjen voluminoze të Departamentit të Drejtësisë të SHBA-së për rastin Epstein, përmban emrin e sipërmarrësit dhe politikanit kosovar, Behgjet Pacolli. Ky i fundit ka thyer heshtjen, duke tentuar të sqarojë rrethanat se si emri i tij përfundoi në emai-let e bashkëpunëtorëve të financuesit pedofil, shkruan Insajderi.
Publikimi i dokumenteve të reja mbi hetimin ndaj Jeffrey Epstein ka nxjerrë në dritë detaje që lidhen edhe me personazhe nga Kosova. Në mesin e emai-leve të zbardhura, figuron edhe emri i ish-presidentit Behgjet Pacolli, në një komunikim mes Sarah Kellen (bashkëpunëtore e afërt e Epstein) dhe një personi tjetër.
Pas qarkullimit të këtij lajmi në media, Pacolli ka reaguar duke u distancuar plotësisht nga çfarëdo lidhje me rrjetin e Epstein.
“Nuk kam pasur asnjë dijeni dhe asnjë përfshirje në çështje që lidhen me persona apo raste të përmendura së fundmi. Nuk kam asnjë informacion konkret dhe nuk kam qenë pjesë e asnjë zhvillimi të tillë”, ka deklaruar ai në një intervistë për Tema, përcjell Insajderi.
Pacolli e ka cilësuar lakuarjen e emrit të tij si diçka që mund të ketë ndodhur jashtë kontrollit të tij, duke aluduar se të tjerët mund të kenë folur në emër të tij.
“Qe dikush i ka thene dikujt ‘shiqo kush eshte BP’ kete nuk kam mund, nuk mundem dhe nuk do te mundem asnjëherë ta evitoj”, u shpreh ai.
Ndonëse email-i i vitit 2012 e përmend emrin e tij, Pacolli insiston se nuk ka asnjë lidhje me skandalin që ka përfshirë figura të fuqishme botërore. Dosja “Epstein”, e cila përmban dhjetëra mijëra faqe, vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes për shkak të dëshmive mbi trafikimin seksual dhe rrjetit të gjerë të njohjeve që kishte miliarderi i ndjerë.
Lexo edhe: