Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi qysh në ditët e para të tij, ka filluar ta njohë kreun e AKR-së, Behgjet Pacollin, si ish-president i vendit.
Më herët, parardhësja e tij, Atifete Jahjaga, gjatë mandatit të saj, e kishte larguar fotografinë e Pacollit, duke mos e njohur atë si ish-president.
Për këtë çështje, Behgjet Pacolli kishte shprehur pakënaqësinë e tij për shkak se Jahjaga nuk e kishte vendosur fotografinë e tij.
Mirëpo, gjatë kohës së Presidentës Jahjaga, fotografia e Pacollit është larguar, për tu rikthyer nga z.Thaçi.
Behgjet Pacolli, në një prononcim për Infopress, thotë se rikthimi i fotografisë nga Thaçi është e drejtë, pasi derisa ka dhënë dorëheqje nga posti i presidentint ai ka qenë president i plotfuqishëm.
“Vendosja e fotografisë është e drejtë, mbasi që unë deri te dorëheqja ime kam qenë president i plotfuqishëm i zgjedhur nga shumica e Parlamentit të Kosovës, ashtu si janë zgjedhur edhe të tjerët”, thotë Pacolli.
Sipas tij, Kushtetutën e ka shkelur në atë kohë kryetari i Kuvendit, i cili ishte Jakup Krasniqi.
“Shkeljet kushtetuese gjatë zgjedhjes time janë bërë nga kryetari i Kuvendit, i cili ka pasë për detyrë të organizojë zgjedhjen time në mënyrë të rregulltë”, është shprehur Pacolli.
Pacolli e kishte mbajtur pozitën e presidentit vetëm 37 ditë në shkurt dhe mars të 2011-tës. /Insajderi.com