Lekaj ka treguar se kjo gjë tani për tani nuk po i pëlqen subjektit më të madh opozitar. Në këtë intervistë për “Epokën e re”, Lekaj ka thënë se AAK-ja kurrë nuk do të bëhet bisht i Lëvizjes Vetëvendosje!
“E theksoj edhe një herë se oferta jonë parasheh që në mënyrë të barabartë të trajtohemi si subjekte politike brenda koalicionit. Kështu që, ndoshta Lëvizja Vetëvendosje! ka menduar ndryshe, që AAK-ja të jetë bisht i saj, mirëpo kjo nuk do të ndodhë asnjëherë. Ne e kemi subjektivitetin tonë dhe do ta ruajmë atë”, ka thënë Lekaj.
Ai ka vlerësuar se, pavarësisht dallimeve ndërmjet tri subjekteve politike, AAK-ja është e përkushtuar që opozita të jetë e bashkuar deri në fund dhe që para qytetarëve në zgjedhjet e ardhshme të dalë me një listë të përbashkët. Mirëpo, sipas tij, kjo nuk varet vetëm nga AAK-ja.
“Kjo nuk varet vetëm prej AAK-së, sepse tani në pah po dalin disa interesa të ngushta partiake nga Lëvizja Vetëvendosje! Ne jemi jetësisht të përkushtuar që të ndodhë një listë e përbashkët, sepse kjo do të sillte një fitore për opozitën dhe do ta kthente shpresën tek qytetarët e Republikës së Kosovës”, është shprehur ai.
Deputeti Lekaj ka paralajmëruar se nëse VV-ja nuk e pranon ofertën e AAK-së, atëherë kjo parti do të shkojë e vetme në zgjedhje. “Ne si Aleancë e kemi bërë një ofertë, e cila parasheh të jemi partnerë të barabartë me Vetëvendosje!-n. Oferta jonë ekziston në tavolinë dhe ne nuk lëvizim fare nga kjo ofertë. Tani i mbetet Lëvizjes Vetëvendosje! të vendosë”, është shprehur Lekaj.
Ai ka shtuar se për mosrealizimin e listës së përbashkët fajtore do të jetë VV-ja. Lekaj ka mohuar mundësinë që AAK-ja t’i bashkohet në këtë mandat Qeverisë Mustafa. Ai ka bërë me dije se pas zgjedhjeve AAK-ja do të jetë e hapur të bëjë koalicion me të gjitha subjektet politike, duke përfshirë edhe PDK-në. /Epoka e Re.