Edhe kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Kujtim Munishit i është përkeqësuar gjendja shëndetësore. Javën e kaluar, ai ka pësuar atak në organet e frymëmarrjes. Krejt këto po ndodhin në Pallatin e Drejtësisë, që është ndërtuar nga Hidroterm pronë e biznesmenit e ish-politikanit, Blerim Kuçi me fonde të Bashkimit Evropian.
Gazeta Insajderi
Probleme me frymëmarrje. Probleme me ventilim e kanalizim. Ashensor të ngadalshëm. Janë vetëm disa nga ankesat që punonjësit e Pallatit të Drejtësisë në Hajvali i përmendin me vite. Pak kush ua vë veshin. As edhe kur bëjnë protesta.
Këto kushte po ndikojnë keq direkt në punën e njerëzve që duhet të ndajnë drejtësi. Gjykatës e Prokuror, por edhe punonjës tjerë të sistemit të drejtësisë.
Javën që shkoi, nga këto kushte e ka pësuar hiç më pak se sa i pari i prokurorëve të Prishtinës, Kujtim Munishi.
Për përkeqësimin e gjendjes shëndetësorë të Munishit për Gazetën Insajderi ka dhënë detaje zëdhënësja e kësaj prokurorie, Laureta Ulaj.
“Për pyetjen dedikuar gjendjes shëndetësore të Kryeprokurorit Munishi, mund t’iu njoftojmë se si pasojë e problemeve me funksionin e ajrosjes në objektin e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, me të cilën situatë tash e disa vite jemi duke u përballur e që është shqetësuese dhe ndikon në efikasitetin në punë, Kryeprokurorit i është përkeqësuar shëndeti, konkretisht ka pasur një atak në rrugët e frymëmarrjes, ku është dashur të intervenojë Autoambulanca e qytetit”, ka thënë Ulaj për Gazetën Insajderi derisa shtoi se gjendja e tij është më e mirë tani.
Ulaj po ashtu konfirmoi se përveç kryeprokurorit, përkeqësim të shëndetit ka pasur edhe një prokuror tjetër, administratorja dhe punonjës të kësaj prokurorie.
Ndërkohë, të hënën e 22 gushtit, dy personave, një prokurori dhe një punonjësi administrativ iu kishte përkeqësuar gjendja shëndetësore, arsye doli të jetë sërish mungesa e sistemit të klimatizimit të objektit në Pallatin e Drejtësisë. Gjendja e prokurorit ishte më e rënduar, i njëjti kishte pësuar edhe sulm në tru.
Kështu kishte konfirmuar për Gazetën Insajderi zëdhënës i Prokuroria Speciale, Ekrem Lutfiu.
“Ju konfirmoj se me datë 22.08.2022, rreth orës 10:00, në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, kemi pasur dy raste të keqësimit të gjendjes shëndetësore, njëri nga stafi administrativ për të cilin është kërkuar ndihma urgjente mjekësore pasi që i ka humbur ndjenjat, ndërsa personi tjetër nga radhët e prokurorëve, të cilit i janë paraqitur kok dhembje të intensitetit të lartë, i cili është dërguar me urgjencë në QKUK për trajtim, ku më pas është konfirmuar se ka pasur një sulm në tru të intensitetit të ulët, për fat të mirë është intervenuar me shpejtësi gjë që ka bërë të i shpëtoj sulmeve të mundshme me pasoja më të rënda”, ka thënë Lutfiu për Insajderin.
Me 21 gusht edhe Burim Neziraj, kryetar i Këshillit Grevist në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, deklaroi se gjendja e objektit në këtë prokurori është e rëndë, e që po shkakton probleme në shëndetin e gjithë stafit, ku përmendi edhe raste konkrete.
“Ne që tri ditë e kemi fillu këtë protestë, me qëllim të përmirësimi të kushteve të punës. Ne në këtë situatë vere, në këtë të nxehtë ne po ballafaqohemi me shumë probleme, kryesisht me ajrim. Ajri nuk është i mjaftueshëm, nuk ka ventilim të mjaftueshëm, pothuajse nuk është funksional, është një problem tjetër klimatizimi. Temperaturat në dhomë krijohen deri në 35 gradë sipas regjistrimeve që i kanë bërë vetë aparatat që janë në zyrë, është një temperaturë që po na shkakton përkeqësim të gjendjes shëndetësore të stafit, duke përfshirë edhe prokurorë edhe zyrtarë”, tha Neziraj.
Madje ai shtoi se probleme shëndetësore kanë pasur mbi 10 punonjës të stafit, me alivanosje dhe humbje të ndjenjave e hipertension, ku është dashur të kërkohet ndihma urgjente e mjekësisë.
Në muajin gusht të këtij viti, stafi mbështetës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në Gjykatën e Apelit dhe Prokurorinë Themelore në Prishtinë kanë protestuar për temperaturat e larta dhe mosfunksionomin e sistemit të klimatizimit brenda këtij objekti.
Milionat që i mori firma e Blerim Kuçit për pallatin që po ua zë frymën
Gazeta Insajderi, 7 vite më parë kishte raportuar mbi ekspertizën e ambientit brenda Pallatit të Drejtësisë, e ku rezultoi se oksigjeni në këtë objekt është 11 herë nën nivelin e lejuar, përkatësisht paraqet rrezikshmëri për shëndetin e njerëzve. Kjo ekspertizë kishte kushtuar hiç më pak se 25 milionë euro.
Gazeta Insajderi kishte zbuluar se ekspertiza i ishte dorëzuar Prokurorisë së Shtetit, e cila pati nisur hetimet në prill të vitit të kaluar për lëshimet e mundshme gjatë ndërtimit. Tenderin për këtë projekt që është më i madhi në Kosovë në fushën e drejtësisë e kishte fituar një kompani bullgare, e cila për nënkontraktor kishte zgjedhur kompaninë Hidroterm, pronë e ish-kryetarit e politikanit nga Suhareka, Blerim Kuçi.
“Ekspertiza e kryer i është dorëzuar Prokurorisë. Kopje të saj ka kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi dhe prokurorë tjerë që po merren me rastin. Rezultatet e ekspertizës janë tepër shqetësuese”, i kishte thënë një burim Insajderit.
Prokuroria ndërkohë po e mbante të fshehtë ekspertizën. Askush në Gjykatë nuk ishte informuar për rezultatet e saj. Organi i akuzës, atëkohë kishte refuzuar të flas për Insajderin për këtë raport me arsyetimin se rasti po hetohej. Rezultatet e saj nuk ishin mohuar.
“Ju informoj se Prokuroria nuk mund të jap përgjigje në këto pyetje, pasi që ky rast është në fazë hetimore”, thoshte Prokuroria e Shtetit në një përgjigje me shkrim për Insajderin.
Pallati i Drejtësisë nuk ka dritare. Oksigjeni brenda tij futet nëpërmjet sistemit të ventilimit.
Kjo situatë e kishte shtyrë kryetarin e Gjykatës Themelore të Prishtinës, Hamdi Ibrahimi që të kërkonte hetime penale. Hetimet kishin nisur nga Prokuroria pas gjithë atyre incidenteve të rënda që kishin rrezikuar jetët e njerëzve.
Mbi ndërtimin e këtij objekti në vitin 2015 ishte përpiluar edhe një raport, i cili nënëvizonte një sërë shkeljes.
Mes tjerash potencohej se “Eksperti i pavarur i angazhuar nga Prokuroria Themelore e Prishtinës kishte konkluduar që “pavarësisht shumë vërejtjeve me ndikim të drejtpërdrejtë në funksionimin e ndërtesës, është e qartë që ishte propozuar që të lëshohet Certifikata e Përdorimit pa u mënjanuar vërejtjet/defektet e identifikuara nga vetë komisioni”.
Nga ana tjetër nga Bashkimi Evropian ishin shprehur se “shfrytëzuesit e parë të Pallatit të Drejtësisë filluan që të vendosen aty në shkurt të vitit 2015 dhe ata u ankuan për një numër çështjesh, kryesisht për kualitetin e ajrit të brendshëm, ngrohjen, ajrosjen dhe ajrin e kondicionuar si dhe ashensorët.
Punëtorët e Pallatit të Drejtësisë paralajmërojnë përshkallëzim të protestës
Pas protestës në muajin gusht, edhe në shtator punëtorët e Pallatit të Drejtësisë protestuan për mungesën e ajrosjes, klimatizimit dhe mungesës së ujit në këtë objekt paralajmëruan përshkallëzim të veprimeve sindikale.
Sipas tyre kushtet në këtë objekt janë të rënda, ndërsa deklaruan se institucionet përgjegjëse nuk po ndërmarrin asgjë në këtë drejtim.
Kërkesa kryesore e tyre është hapja e dritareve të objektit.
Kryetari i Shoqatës Sindikale të Gjykatës Themelore në Prishtinë, Naim Rrustemi deklaroi se shqetësimet e tyre kanë nisur prej kur janë zhvendosur në këtë objekt.
Rrustemi thotë se kushtet e rënda në Pallat të Drejtësisë kanë ndikuar që edhe të keqësohet gjendja shëndetësore e shumë punëtorëve.
“Këtë vit ne kem pas në vazhdimësi alivanosje të punëtorëve gjë që është dashur edhe intervenimi i ambulanteve emergjente për shkak të ajrimit jo të mirë, për shkak jo klimatizimit të mirë, për shkak të mungesës së ujit, për shkak të mungesës së ujit edhe në tualete, madje edhe aromatizime më të ndryshme edhe shumë të rënda për shëndetin e njeriut… Ky objekt nuk është në rregull sepse edhe ka mungesë të oksigjenit dhe ka mungesë të klimatiizmit… Çka është më e rëndësishme që ne po kemi problem me shëndetin tonë dhe sinqerisht po them që po të kishte pas institucion të mirëfilltë dhe po t’iu bëjnë analizë gjithë punëtorëve të stafit të Pallatit të Drejtësisë analiza shëndetësore po them se kanë me dalë shumë të sëmurë“, theksoi ai.
Rrustemi u shpreh se kërkesa e tyre kyçe mbetet hapja e dritareve të këtij objekti.
/GazetaInsajderi