
Një ngjarje e rëndë ka tronditur komunitetin shqiptar në Zvicër, ku një shtetas i Kosovës dyshohet se ka kryer vrasje të rëndë, duke vrarë bashkëshorten e tij dhe më pas duke humbur jetën vetë, shkruan Insajderi.
Sipas mediave zvicerane, rastin ka ndodhur të enjten në mëngjes me rrethana të paqarta, në fshatin Epagny të Zvicrës.
Dy persona u gjetën pa shenja jete mes rrënojave të një shtëpie të përfshirë nga zjarri.
Sipas policisë, njëri nga të ndjerët mund të jetë autori i dyshuar i të shtënave me armë zjarri pranë shtëpisë, pak para shpërthimit të flakëve.
Ndërkohë, i dyshuari sipas Sinjalit është Ramiz Berisha, 42-vjeçar nga Malisheva, i cili dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri ndaj bashkëshortes së tij 38-vjeçare, e cila po ashtu ishte nga një fshat i kësaj komune.
Çifti kishin katër fëmijë të mitur, që tani kanë mbetur pa prindër.
Mediat lokale raportojnë se pas të shtënave, i dyshuari ka dalë jashtë shtëpisë dhe ka shtënë sërish me armë, për t’u futur më pas brenda.
Pak më vonë, shtëpia është përfshirë nga flakët, dhe pas ndërhyrjes së shërbimeve emergjente, brenda saj janë gjetur dy trupa të pajetë.
Policia zvicerane ende nuk e ka konfirmuar zyrtarisht identitetin e viktimave, por dyshohet se njëri prej trupave i përket vetë autorit të dyshuar të ngjarjes.
Autoritetet zvicerane kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e sakta të ngjarjes.