Insajderi
Biznes

Pandemia COVID-19, kthen turizmin në Kosovë në pikën zero

Insajderi
27 September 2020 - 14:42
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Pandemia COVID-19, kthen turizmin në Kosovë në pikën zero
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Pandemia ka shkaktuar dëme të mëdha në sektorin e turizmit dhe ndonëse nuk dihen shifrat e sakta, ajo mendohet të jetë disa miliona. Kësisoj, institucionet e Kosovës duhet të dalin me plan të mirëfilltë për t’i dalë në ndihmë këtij sektori të rëndësishëm për zhvillimin e vendit.

Kështu u tha në konferencë me temën “Potencialet e Turizmit Rural dhe ndikimi i Pandemisë COVID-19 te sektori i turizmit në Kosovë”, organizuar nga Unioni i Turizmit të Kosovës me rastin e shënimit të Ditës Botërore të Turizmit.

Kryetari i Unionit të Turizmit në Kosovë, Baki Hoti ka thënë se shkaku i pandemisë sektori i turizmit është kthyer në pikën zero.

“Pandemia këtë vit ka shkaktuar dëm shumë të madh në sektorin e turizmit. Ju e dini se qysh nga marsi, turizmi është në pikën zero, janë ndalë të gjitha fluturimet dhe nuk ka vizitorë. Shpresoj që mos të zgjasë shumë pandemia dhe gradualisht t’i kthehemi normalitetit edhe pse ne gjithë që punojmë në turizëm e dimë se turizmi nuk rimëkëmbet për një javë ose për një muaj, e do një kohë bajagi të gjatë që të rimëkëmbet”, ka thënë Hoti.

Hoti thekson se vetë fakti që institucionet e Kosovës nuk kanë Ministri të Turizmit, tregon që turizmi nuk është prioritet.

“Vetë fakti që Kosova nuk ka një Ministri të Turizmit, vetë fakti që Kosova nuk ka një organizatë nacionale të turizmit tregon që institucionet nuk prioritet turizmin, andaj nga kjo foltore, nga kjo ditë apeloj tek institucionet e Republikës së Kosovës te Qeveria, që ta marrim turizmin me një seriozitet”.

“Ata duhet të kontribuojnë në turizmin se kontributi në turizëm është kontribut në ekonominë e vendit, është kontribut për punësimin e të rinjve, që Kosova ka nevojë jashtëzakonisht shumë dhe përfitime të shumta, qoftë komuniteti i biznesit, por edhe vetë te shteti”, ka thënë Hoti.

Ai ka thënë se institucionet e Kosovës duhet të dalin me plan konkret për të mbështetur komunitetin e biznesit.

“Kërkohet një mbështetje institucionale se si e kanë bërë të gjitha shtetet e tjera, edhe Kosova duhet të merr model nga këto shtete. Pakoja për rimëkëmbje ekonomike ende nuk ka kaluar dhe kjo po ndikon shumë keq tek i gjithë sektori”, shprehet Hoti.

Zëvendësministri i Tregtisë dhe Industrisë, Nexhat Ramadani, ka thënë Ministria e Tregtisë dhe Industrisë është duke i kushtuar vëmendje të veçantë aktiviteteve që ndërlidhen me përmirësimin e të bërit biznes.

Ai tha se është i gatshëm drafti për Ligjin e ri të turizmit i cili pret miratimin e Kuvendit të Kosovës.

Ndërsa për humbjet që janë shkaktuar nga pandemia në këtë sektor, Ramadani ka thënë se ende nuk ka të dhëna, mirëpo flitet për miliona.

“Ende nuk ekzistojnë të dhëna të sakta se sa janë dëmet e shkaktuara, por dihet se bëhet fjalë për miliona. Qeveria aktuale ka miratuar planin e rimëkëmbjes ekonomike për realizimin e së cilës nevojitet miratimi i ligjit për rimëkëmbje ekonomike nga Kuvendi i Kosovës, i cili fatkeqësisht po dështon tash e tri herë për t’u miratuar”.

“Pos masave tjera të parapara për ta ndihmuar sektorin e turizmit, pjesë e këtij plani është edhe kërkesa e kamotshme e bizneseve për uljen e TVSH-së për sektorin e hotelerisë, nga 18 në 8 për qind”, ka thënë Ramadani.

Kryetari i Unioni i Turizmit të Shqipërisë, Rrahman Kasa, ka thënë se industria e turizmit është ndër më të goditurat dhe se duhet të gjendet mundësia se si t’i dilet në ndihmë kësaj industrie.

“Normalisht që kjo do një ndihmë, sepse sektori i turizmit është sektori më i goditur nga kjo. Industria e turizmit është industria që e pësoi më rëndë nga kjo situatë dhe referuar edhe vendeve tjera të botës, të cilat kanë dhënë ndihma të mëdha financiare industrisë së turizmit për t’u rimëkëmbur”, ka thënë Kasta.

Me këtë rast, Unioni i Turizmit të Kosovës ka nënshkruar dy marrëveshje bashkëpunimi me Agjencinë Kombëtare të Turizmit të Shqipërisë dhe Unionin e Turizmit të Shqipërisë, si dhe ka ndarë mirënjohje bashkëpunimi për disa akterë për nder të turizmit.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark