Banorët e një kompleksi banesor në lagjen Mati 1 në Prishtinë po përballen me shqetësime serioze të sigurisë, pasi një grua dyshohet se ka shkaktuar disa incidente brenda hapësirave të objektit gjatë javës së fundit.
Sipas raportimit të RTK-së, gjithçka nisi një javë më parë, kur e dyshuara u fut në garazhet e kompleksit banesor. Banorët njoftuan Policinë e Kosovës për rastin.
Dy ditë më vonë, e dyshuara u rikthye sërish në kompleks. Këtë herë, ajo dyshohet se në katin e dytë, pranë ashensorëve, ka ndezur zjarr duke përdorur lëndë djegëse. Edhe për këtë incident, banorët kanë lajmëruar policinë, ndërsa autoritetet kanë nisur veprimet për identifikimin dhe kapjen e saj.
Megjithatë, incidentet nuk kanë përfunduar me kaq.
Të mërkurën, në orët e para të mëngjesit, gruaja dyshohet se i ka vënë flakën një veture të parkuar në garazhin e një kompleksi banesor përballë.
Si pasojë e zjarrit, përveç veturës, është dëmtuar edhe rrjeti elektrik i ndërtesës, ndërsa ashensorët kanë mbetur jashtë funksionit.
Banorët janë shprehur të shqetësuar, duke thënë se veprimet e të dyshuarës kanë cenuar sigurinë e tyre dhe kanë krijuar pasiguri në kompleksin ku jetojnë.